Presidenti bullgar Rumen Radev sot në një bisedë telefonike me komisionerin për zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, shprehu pritjen e Sofjes se dialogu me Maqedoninë e Veriut do të çojë në rezultate konkrete, njofton AIM nga Sofja.

Radev theksoi se Sofja është e hapur për dialog, ka bërë pyetje të qarta dhe pret përgjigje dhe veprime reale nga Maqedonia e Veriut.

Kreu i shtetit bullgar konsideron gjithashtu se agjenda e marrëdhënieve dypalëshe mes Sofjes dhe Shkupit nuk duhet t’i nënshtrohet ndikimeve të jashtme, por duhet të zhvillohet hapur me angazhimin e të dyja vendeve, gjë që do të çojë përpara procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Si theks kryesor në atë dialog, presidenti i Bullgarisë vuri në dukje respektimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, zhdukjen e përhershme të gjuhës së urrejtjes dhe respektimin e historisë dhe trashëgimisë kulturore bullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/