LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët telefonojnë në polici: E pamë vrasësin e Artan Cukut (Video)

Qytetarët telefonojnë në polici: E pamë vrasësin e Artan Cukut (Video)

Publikimi i videos ku shfaqet i dyshuari për vrasjen e komisarit Artan Cuku, duke ikur nga vendi i krimit, ka sjellë një “lumë telefonatash” në Policinë e Tiranës.

Gjatë 24 orëve që pasuan publikimin e pamjeve filmike të personit të dyshuar, policia ka marrë në sallën operative të paktën dy telefonata në orë për këtë rast.


Lajmi u bë me dije nga burime të Policisë së Tiranës, të cilat thanë se qytetarët kanë dhënë informacionet që kishin në lidhje me atentatin e rëndë ku humbi jetën ish-drejtori i Policisë së Vlorës, komisar Artan Cuku. Telefonuesit më të shumtë në numrin 0694110299 i kanë dhënë policisë informacione dytësore, që kanë të bëjnë me lëvizjet e personit të dyshuar.

“Disa prej telefonuesve pretendojnë se e kanë parë personin duke vrapuar, në një kohë që përkon me disa minuta pasi kishte ndodhur vrasja”, thanë burimet e Policisë.

Policia publikon pamje të autorit të vrasjes së Artan Cukut (Video)
Lexo po ashtu Policia publikon pamje të autorit të vrasjes së Artan Cukut (Video)

Sipas tyre, qytetarë të tjerë që kanë telefonuar pretendojnë se e kanë parë të dyshuarin, por orari që ata kanë dhënë përkon me kohën 30 minuta apo një orë para se të kryhej vrasja me pesë plumba e Artan Cukut te pallati ku banonte në Rrugën e Kosovarëve, pranë Gardës së Republikës.

Burimet policore kanë thënë se një numër më i kufizuar personash që telefonuan në numrin në dispozicion kanë pretenduar se e njohin personin në video dhe kanë dhënë edhe identitetin e tij.

Mësohet se policia po i verifikon emrat e dhënë, ndërkohë që bëhet me dije se identitetet që kanë dhënë qytetarët përkojnë me persona që kanë precedentë të fortë penalë e madje edhe me shtetas në kërkim për vepra të rënda penale.

Hetimet

Policia e Tiranës i ka fokusuar hetimet e veta në disa pista kryesore në lidhje me vrasjen e komisarit Artan Cuku.

Më kryesorja për policinë është pista e hakmarrjes, ndërsa në hetim është edhe versioni i vrasjes për shkak të detyrës së Artan Cukut si drejtor policie në Vlorë në 2012 dhe zv.drejtor policie në Tiranë.

Dosja ndodhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila po drejton hetimet, por deri tani vlerësohet se provat e grumbulluara janë të pamjaftueshme për kapjen e autorëve të ngjarjes së rëndë, apo edhe për përcaktimin e shkakut të atentatit.

Vrasësi i ish-drejtorit të Policisë së Vlorës mund të jetë nga Kosova
Lexo po ashtu Vrasësi i ish-drejtorit të Policisë së Vlorës mund të jetë nga Kosova

Deri ditën e djeshme në polici janë shoqëruar e marrë në pyetje rreth 35 persona të dyshuar dhe shtetas me dijeni për ngjarjen. Ata janë lënë të lirë për shkak të mungesës së provave për implikimin e tyre në atentatin ndaj ish-zyrtarit të policisë, i cili u ekzekutua në katin e parë të pallatit ku banonte në Tiranë.

Dy ditë më parë, policia publikoi një video të personit të dyshuar si vrasës. Videoja u përket pamjeve të marra nga një kamera në zonën ku ndodhi krimi, ndërsa personi që kalon aty përputhet në veshje e karakteristika fizike me shtetasin e filmuar pas krimit nga kamerat pranë pallatit ku u vra Artan Cuku. /Panorama/