LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët që janë sulmuar nga qentë, do të kërkojnë ndihmë nga ambasadat e huaja në Kosovë

Qytetarët që janë sulmuar nga qentë, do të kërkojnë ndihmë nga ambasadat e huaja në Kosovë

Sot disa qytetarë kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të Komunës së Prishtinës, prej të cilëve kanë kërkuar që të zgjidhet problemi i qenve endacak pasi që me ardhjen e stinës së vjeshtës e dimrit, pritet të përkeqësohet situata.

Është raportuar disa herë për sulmet e shpeshta të qenve endacakë në pjesë të ndryshme të Prishtinës.


Një grup i qytetarëve që vet kanë qenë viktima të sulmeve ose janë prindër të fëmijëve që janë sulmuar nga qentë, sot janë pritur në një takim nga Komuna e Prishtinës.

Erza Kurti pjesë e këtij grupi dhe qytetare e cila është sulmuar dhe kafshuar nga një grumbull i qenve endacakë thotë për RTV Dukagjinin se në takim u është thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë leje për të ndërtuar një strehimore për qentë endacakë.

“Është thënë që Zyra e Prokurimit brenda Komunës ka vonuar procesin dhe nuk ka ende një veterinar që i vaksinon qentë endacakë, pastaj Ministria e Ambientit dhe Mjedisit ende nuk ju ka dhënë një leje se ku ta hapin një strehimore. Po ashtu Komuna ka kërkuar që kjo problematikë të bëhet në nivel qendror dhe kanë kërkuar ndihmë nga shteti, mirëpo nuk është ofruar një bashkëpunim i tillë”, ka deklaruar qytetarja Erza Kurti.

Erza thotë se ajo është shumë e dashur me kafshët por që në Prishtinë tashmë ndjehet e rrezikuar nga turmat e qenve e endacakë.

Më tutje ajo thotë se bashkë me qytetarët e tjerët do të trokasin në dyert e ambasadave në Prishtinë për të kërkuar ndihmë për të hapur një strehimore.

Komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media tha se kafshët migrojnë dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në nivel kombëtar.

‘’Komuna e Prishtinës është duke bërë rehabilitimin e gjendes së tanishme, Komuna përmes operatorit ekonomik bënë trajtimin e qenve në mënyrë humane siç është e përcaktuar me ligjin në fuqi. Prandaj, qentë endacakë zihen në qytet, kontrollohen për sëmundje, vaksinohen apo trajtohen nëse sëmundja është e shërueshme, sterilizohen apo kastrohen në mënyrë që të mbahet nën kontroll shtimi i tyre, mbahen në kujdestari deri në 14 ditë në mënyrë që të socializohen dhe pastaj veterinari jep urdhër për lirim apo eutanazim nëse qeni është agresiv”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Nga ana tjetër Avdush Bajgora doktor i mjekësisë emergjente tha për RTV Dukagjinin se numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë në Qendrën Emergjente për shkak të sulmit nga qentë është shqetësues.

“Kjo është dukuri jo vetëm në qytet por është jashtëzakonisht prezente në territorin e QKUK-së ku janë sulmuar shumë mjekë në gjymtyrë të poshtme e sipërme pastaj janë sulmuar teknikë e punëtorë të tjerë”, deklaroi mjeku Avdush Bajgora.

Sipas doktorit Bajgora, plaga e cila merret si rezultat i kafshimit të qenit është serioze sepse në rastet kur plaga është e madhe as qepja nuk mund të  bëhet për shkak të rrezikut të infeksionit.

Ai thotë se stresi pas përjetimit të sulmit është i madh dhe se pacientët mbesin me një frikë që i shoqëron vazhdimisht.

Qytetarët e Prishtinës kërkojnë që ky problem të zgjidhet më shpejtë pasi që me ardhjen e ditëve të ftohta problemet mund të jenë më të mëdha./RTV Dukagjini/Telegrafi/