Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë Kosovë është pajisur me një autoambulancë të re, e cila është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së kapaciteteve për intervenim të shpejtë emergjent.

Nga Komuna e Fushë Kosovës bëhet e ditur se kjo autoambulancë paraqet një ndihmë të rëndësishme, duke pasur parasysh numrin e madh të banorëve dhe nevojat e shtuara për shërbime shëndetësore në komunë. Sipas njoftimit, pajisja e re do të ndikojë drejtpërdrejt në ofrimin më efikas dhe më cilësor të shërbimeve mjekësore për qytetarët.


“Duke marrë parasysh ngarkesën dhe kërkesat e vazhdueshme për shërbime emergjente, kjo autoambulancë është një ndihmë e mirëseardhur dhe e domosdoshme për QKMF-në dhe për qytetarët e Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna e Fushë Kosovës ka shprehur falënderim ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se investime të tilla janë në funksion të drejtpërdrejtë të përmirësimit të shëndetit publik dhe shërbimeve për qytetarët. /Telegrafi/