Qeverisja e keqe nuk është në interes të Kosovës
Kaloi viti 2009 dhe nuk na solli mrekulli, ashtu siç premtuan pushtetarët tanë. Realisht as që është pritur diçka e tillë, ngase kapacitetet vepruese, punuese dhe mënyra e menaxhimit e dikton ecjen më të shpejtë apo të ngadaltë të një procesi.
Jemi në vitin 2010 dhe vitet po ecin, por zhvillimi i vendit tonë ka ngelë aty ku është dhe nuk ka përparim, në asnjë resorë që vlen të përmendet.
Optimizmi që mbërtheu popullatën tonë pas shpalljes së Pavarësisë, tani ka rënë ndjeshëm nga një arsye e vetme: zhgënjimi me institucionet tona, me qeveritarët tanë. Ky zhgënjim po kthehet ngadalë edhe në urrejtje ndaj tyre. Shkak për këtë është vetë kontributi i tyre.
Është krijuar përshtypja në opinion, se ata që mësyjnë pushtetin kanë vetëm një qëllim: grabitjen e pasurisë shtetërore, pasurimin dhe keqpërdorimin e taksapaguesve të qytetarëve të këtij vendi. Përshtypjet ndaj kësaj dukurie të shëmtuar tanimë janë ngulitë thellë në mendjet e qytetarëve dhe si pasojë e kësaj, ne sot kemi mos-besueshmëri të theksuar ndaj institucioneve tona. Po ashtu, mos-dalje në zgjedhje sepse s’ke për kë të votosh etj., etj.
Ky opinion nuk është krijuar vetëm në vitin 2009, por nga paslufta ai gjithnjë po shkon fatkeqësisht drejt rritjes.
Ne çdo ditë në mediumet tona si në ato elektronike dhe në ato të shkruara, kemi lajme nga më të ndryshmet, se gjoja qeveria e Kosovës do të re-formatizohet apo të freskohet. Sido që ta quajmë, është e njëjta gjë. Lind pyetja, se ç’ka mund të sjellë ky, ku po na çon dhe pse flitet rreth freskimeve? Duket se kjo përpjekje jep mesazhin, se kjo qeveri nuk është në gjendje të bëjë asgjë më shumë, se sa këto që po i dëgjojmë.
Qartë po shihet se, kemi një qeveri që nuk po funksionon si duhet, kemi një koalicion i cili nuk po funksionon mirë (nëpër kafene flasin ndryshe, nëpër gazeta dhe me deklarata ndryshe).Vetëm një gjë dy partnerët e kanë të përbashkët, pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme nga ana e tyre. Mund të jetë pak sa e vështirë të dihet deri në fund, se cili do t’i prinë listës së të korruptuarve, pasi që konkurrenca është e fortë, se cili do të bëjë më shumë se sa tjetri.
Cilat rrethana e çuan në arritjen e koalicionit në mes tyre? Nëse dje ka qenë interesi i vendit bashkimi tyre (nëse është ky mendim, atëherë mund të shihet se ky veprim lë shumë për të dëshiruar), sot me interes është prishja e tij dhe largimi i tyre nga qeverisja e Kosovës.
Opinioni i gjerë publik, ka parë dyfytyrësinë politike të dy subjekteve në koalicion. Ky është edhe një fakt që duhet ta pamundëson jetëgjatësinë e tyre. Ata (dy partnerët në qeverisje) ende bashkëjetojnë për interesa të ngushta dhe jo për interesa të vendit, bashkëveprojnë vetëm sa për të thënë, se ja ne jemi të qëndrueshëm, jemi edhe më të fortë sesa që ishim para deklarimit se ky koalicion u prish etj. Ekziston një mendim i shtrirë në masë të madhe te qytetarët e Kosovës, se praktika e keqe qeverisëse e dy partnerëve (PDK-LDK) meriton po nga ana e tyre, ndëshkimin.
Ngecja e zhvillimit ekonomik të vendit, mos-rritja e pagave të shërbyesve civilë, policisë, punëtorëve shëndetësorë, mos-zbatimi ligjit, mos-kontrolli në tërë territorin e vendit, strukturat paralele serbe, korrupsioni i një shkalle të lartë, tenderomania, fyerjet kërcënimet e rivalëve politik, parregullsitë e shumta në zgjedhje, jo-serioziteti në punë, janë tregues të qartë dhe përbuzja më e madhe që aktualisht i bëhet qytetarit të vendit.
Këta tregues negativë, të gjithëve na bëjnë ditur, se qeveritarët tanë pa kurrfarë bazë dhe pa fije turpi mundohen të ç’orientojnë vëmendjen e opinionit, me kinse re-formatizim të qeverisë, freskim të saj, e broçkulla të tilla, vetëm e vetëm që të zgjatet jeta e një pushteti të sëmurë rëndë nga të metat dhe gabimet e shumta, vetëm e vetëm që të ruhet bashkëjetesa e partnerëve, të cilët dështimet e mëdha i paraqesin si suksese të mëdha.
Në këtë atmosferë të nderë duket interesante, pse bashkësia ndërkombëtarë nuk ka një qëndrim të qartë, nuk e përkrahë freskimin e qeverisë. Lidhur me këtë, e ardhmja do të qartësojë dy dilemat e sotme lidhur me këtë “indiferencë” të ndërkombëtarëve.
A thua ndërkombëtarët shohin fundin e kësaj qeveria dhe jo freskimin e saj apo emrat e përfolur për zëvendësimin e tyre janë të papërshtatshëm për ta?
Sido që të jetë, qytetarit tonë sot i intereson përmirësimi i standardit të jetës së tij. Ai do punë, do rritje pagash, do të sheh me sy, se Kosova po përparon dhe ardhmëria e tij është e sigurt në këtë vend. Në të kundërtën, te qytetarët do të kemi vetëm zhgënjim dhe tensionim të gjendjes.
Është e pa-tolerueshme që vetëm ne shqiptarët, nuk jemi të përfshirë në liberalizim të vizave. Kjo na ndodhi edhe si pasojë e neglizhencës, por edhe të paaftësisë vepruese të institucioneve tona. Nuk mund të ketë asnjë justifikim tjetër sepse ecja ne Evropë varet shumë nga puna jonë, nga serioziteti ynë.
Për fund, ne shqiptarët duhet të japim shembullin në rajon se si duhet shteti, si forcohet shteti dhe si prosperon shteti. Por kjo bëhet ndryshe, jo me shembujt e deritanishëm. Ata që nuk e besojnë këtë duhet t’ia lirojnë vendin një klase tjetër politike, të përkushtuar, të aftë dhe të pa-korruptuar. Kjo duhet të vijë sa më parë, që të binden edhe të tjerët, se mundësitë tona janë të mira dhe rruga e sukseseve është nevojë, kërkesë dhe përpjekje e vazhdueshme si dhe shqetësimi ynë më i madh.



































