LAJMI I FUNDIT:

Qeveria vendos ndërtimin e një deponie në Fushë Kosovë, banorët thonë se do ta kundërshtojnë (Dokument)

Qeveria vendos ndërtimin e një deponie në Fushë Kosovë, banorët thonë se do ta kundërshtojnë (Dokument)

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e deponisë së materialeve të rrezikshme në Harilaq të Fushë Kosovës, ka nxitur reagimin e ashpër të qytetarëve të kësaj komune.

Ndër ata që kanë reaguar fuqishëm kundër këtij vendimi ka qenë edhe aktori Jeton Zogjani, banor i kësaj komune, i cili përmes një statusi në profilin e tij në Facebook ka ftuar që edhe institucionet si Instituti i Shëndetit Publik, shoqatat ambientaliste, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, shoqata e mjekëve kundër kancerit, ta përkrahin kundërshtimin e banorëve.

Sipas tij, ky është një projekt është kriminal dhe do t’i dëmtojë të gjithë banorët.

“Këshilli i banorëve do të bëhet, mediat do të informohen për aktivitetet e protestës dhe ftohen të luajnë rolin e tyre edhe në sensibilizimin e ndjeshmërisë së këtij projekti”, ka shkruar Zogjani.

Ai është shprehur i bindur që nëse heshtin qytetarët, deponia do të bëhet, derisa sipas tij, nëse kundërshtohet ky projekt do të ndalohet.

Ndërsa, në përgjigjen e tyre për Telegrafin nga Zyra e Kryeministrit, kanë thënë se janë duke i përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimet në këtë drejtim.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka theksuar se Kosova nuk ka pasur asnjëherë deponi për mbeturinat e rrezikshme dhe kjo është nevoje e pashmangshme për ta ndërtuar atë.

“Është lajm shumë i mirë që ne tashmë kemi vendosur për një deponi të tillë. Ju sigurojmë që ndërtimi i saj është planifikuar të bëhet duke respektuar të gjitha parametrat”, ka shtuar Gashi.

Ajo e ka konfirmuar se ata e kanë pranuar kërkesën e Kryetarit te Komunës dhe banorëve për kundërshtimin e ndërtimit të kësaj deponie, duke theksuar se do ta shqyrtojmë me kujdes atë, në mënyrë që të bëhet sipas tyre, zgjidhje e kënaqshme për të gjitha palët.

Edhe Komuna e Fushë Kosovës ka reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe ka kërkuar rishqyrtimin e vendimit “Caktimi i lokacionit për ndërtimin e objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme”.

Ndryshe, më 29 maj të këtij viti Qeveria e Kosovës ka marrë vendim, i cili është nënshkruar nga shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj që në Komunën e Fushë Kosovës, respektivisht Komuna Kadastrale Harilaq të caktohet lokacioni për ndërtimin e një objekti për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme. /Telegrafi/