LAJMI I FUNDIT:

Qeveria thotë se rishikimi i buxhetit s’është obligim, profesori Ramosaj thotë se pozita ka frikë nga numrat (Video)

Qeveria thotë se rishikimi i buxhetit s’është obligim, profesori Ramosaj thotë se pozita ka frikë nga numrat (Video)

Berim Ramosaj thotë se qeveria ka frikë ta hedh në votim rishikimin e buxhetit për shkak të mungesës së numrave, ndërsa nga Ministria e Financave thonë se rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor.

Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj mos rishikimin e buxhetit nga ana e qeverisë, pavarësisht rritjeve të shpenzimeve, e sheh në dy aspekte.

“Në rrafshin profesional, kjo është një mundësi për qeverinë që të bëj një rebalancë, sepse vetë rishikimi i buxhetit e ka kuptimin e një rebalanci buxhetor. Në aspektin politik unë konsideroj se qeveria aktuale ka elemente të mungesës së numrave, prandaj nuk e shfrytëzon këtë mundësi për rishikim të buxhetit”, thotë për RTV Dukagjinin profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj.

Për këtë arsye, sipas tij, po refuzohet që rishikimi i buxhetit të dalë para deputetëve ngase nuk janë numrat e pozitës në parlament.

“Kjo është ndoshta frika e qeverisë, se mos realizimi i ndryshimeve eventuale në lidhje me buxhetin, kishte me pas pasoja politike, ku opozita do t’i drejtohej shumicës qeveritare se nuk i keni numrat. Edhe pse është është e diskutueshme nëse kjo qeveri i ka numrat apo është qeveri e pakicës”, shprehet më tej Ramosaj, përcjell Telegrafi.

Nga ana tjetër zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini përmes një përgjigje elektronike, thotë se buxheti është i përgatitur në përputhje me planin e Qeverisë.

“Rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor, buxheti është përgatitur në përputhje me planin e Qeverisë dhe në harmoni me prioritetet dhe objektivat zhvillimore duke u bazuar në dokumentet strategjike. Të hyrat e përgjithshme janë duke performuar mirë, shpenzimet janë duke shkuar brenda planit. Ndërsa sa i përket projekteve ekzistuese për të cilat vijnë kërkesat shtesë nga organizatat buxhetore, atëherë sipas ligjit të buxhetit për vitin 2018, neni 15, në tremujorin e fundit Ministri i Financave ka të drejtën ligjore për të marrë veprime sipas kërkesave për rialokim të mjeteve”.

Edhe zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi në një përgjigje të shkurtër u shpreh se nuk nevojitet rishikim i buxhetit, pasi sipas saj, Ministri i Financave ka thënë se nuk ka nevojë dhe në raste të tilla nuk rishikohet buxheti./Telegrafi/