Qeveria në detyrë e Kosovës sot ka marrë vendim që të rrit shtesat për nënat lehona. Ku sipas rritjes që është bërë, lehonat e papunësuara do të përfitojnë 325 euro për gjashtë muaj, kurse, lehonat e punësuara do të përfitojnë 319 euro për tre muaj. Më herët, lehonat kanë përfituar nga 170 euro.

Rreth kësaj situate është deklaruar njohësi i çështjeve ekonomike, Shenoll Muharremi, transmeton Telegrafi.


Muharremi ka postuar disa të dhëna, duke shkruar se në Kosovë ka pasur rënie të lindjeve, dhe se ky trend po vazhdon.

"Këtu e kemi numrin e lindjeve në Kosovë vitet e fundit. Kemi pasur 22,830 lindje në vitin 2021, ndërsa kemi 21,487 në vitin 2024. Rënia e trendit është rreth 5.88%. Ky trend i rënies nuk është i ri.
Gjithashtu është me rëndësi me theksu që gjatë vitit 2024 ASK ka raportuar 10,230 persona (kosovarë) që kanë lindur jashtë vendit. Kjo i bie rreth 47.61%, kur e krahason me numrin e lindjeve në Kosovë. Gjithsejt, në Kosovë dhe jashtë janë gjithsejt 31,717 lindje", ka pohuar ai në Facebook.

Ndryshe, vendimi për rritjen e shtesave të lehonave u mirëprit nga ana e qytetarëve./Telegrafi/