Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti tashmë kanë përfunduar shumicën e takimeve konsultative me partitë politike për formimin e institucioneve.

Osmani dhe Kurti tashmë kanë takuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përfaqësuesit e komuniteteve, ndërsa sot do të takojë përfaqësuesit e goranëve dhe të premten liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Një ditë më parë është mbajtur edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të legjislaturës së shtatë, ndërsa është vendosur që seanca konstitutive të mbahet më 22 mars, në ora 10:00.

Pas konstituimit të Kuvendit, pritet që ushtruesja e detyrës së presidentit të dërgojë letër për mandatarin, ndërsa pas kësaj të mbahet edhe seanca e Kuvendit për votimin e Qeverisë.

“Pas votimit edhe të Kryesisë, Kuvendi konsiderohet se është i konstituuar dhe në aspektin formal juridik sapo të vijë letra nga ana ushtrueses së detyrës së presidentes për mandatimin e kryeministrit, thirret seanca…”, ishte shprehur Arbërie Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë.

Mirëpo, i tërë ky proces pritet të përfundojë javën e ardhshme.

Ndërkaq, derisa na ndajnë disa ditë nga seanca konstitutive dhe seanca për formimin e Qeverisë tashmë janë përfolur disa emra për ministra në Qeverinë Kurti si dhe për kreun e Kuvendit.

Pritet që kryetar i Kuvendit të jetë Glauk Konjufca, Ministrinë e Punëve të Jashtme ta drejtojë Donika Gërvalla, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, Ministrinë e Arsimit, Arbërie Nagavci. Për Ministrinë e Shëndetësisë janë përfolur Arben Vitia ose Haxhi Avdyli, ndërsa Faton Peci ose Hajrullah Çeku janë përmendur si kandidatë për ministër të Kulturës.

Albulena Haxhiu është përmendur si kandidate për ministre të Drejtësisë, Besnik Bislimi si kandidat për ministër të Financave, ndërsa Rozeta Hajdari si kandidate për ministre të Ekonomisë.

Ndryshe, Telegrafi ka kontaktuar me zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Vjosa dhe të njëjtit kanë thënë se janë në fazën e finalizimit të emrave për kabinetin qeveritar. /Telegrafi/