Inxhinieri i ndërtimit dhe aktivisti publik serb, Danijel Dashiq, ka akuzuar Ministrinë e Ndërtimit të drejtuar nga Goran Vesiq se ka financuar muralet me përmbajtje nacionaliste dhe kërcënuese, të njohura me mbishkrimin “Kur ushtria kthehet në Kosovë”.

Muralet e tilla u shfaqën fillimisht në veri të Kosovës gjatë vitit 2023, ndërsa më pas u vendosën edhe në disa qytete të Serbisë.


Dashiq ka bërë publike një postim në platformën X, ku shkruan se gjatë një kontrolli të vitit 2024, Inspektorati Shtetëror i Auditimit në Serbi ka zbuluar një shpenzim prej 217 mijë eurosh, të evidentuar me përshkrimin “lyerja e sipërfaqeve publike”.

Sipas tij, kjo shumë është përdorur për realizimin e grafiteve me përmbajtje nacionaliste, përfshirë mbishkrimin “Kur ushtria kthehet në Kosovë”.

Ai thotë se pagesa është bërë nga vetë Ministria e Ndërtimit, ndërsa si porositës figuron Komiteti Ekzekutiv i Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Dashiq thekson se për këtë shpenzim nuk ekziston asnjë faturë zyrtare dhe se ekzekutuesit e punës nuk dihen.