LAJMI I FUNDIT:

Qeveria devijon kahen e minierës së “Kosovës së Re” për tenderin milionësh

Qeveria devijon kahen e minierës së “Kosovës së Re” për tenderin milionësh

Qeveria e Kosovës po synon t’i shmang variantet më të përshtatshme, të propozuara nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për hapjen e Minierës së Re që do të jetë në dispozicion të Termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, opsioni më i përshtatshëm i propozuar nga KEK-u për hapjen e Minierës së Re ka qenë vazhdimi në minierën ekzistuese “Sibovci Jugperendim”, ku përfshihet fshati Hade, banorët e së cilës ka vite që kërkojnë t’iu bëhet një zgjidhje.


Por Qeveria e Kosovës, përkatësisht Komisioni i themeluar nga kryeministri Haradinaj për këtë çështje, është para fazës finale për një variant tjetër, që është me kosto shumë më të lartë.

Miniera e re po synohet të hapet në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, duke e shmangur krejtësisht minierën ekzistuese.

“Nga takimi i fundit me kryeministrin, pothuajse është vendosur për këtë opsion. Nëse shkojmë me fshatin Lismir, kjo i bie që ne duhet të shpallim tender për ta përzgjedhur një kompani që ta heq dheun dhe ka paqartësi se kur mund të hapet miniera e re”, ka thënë një anëtar i Komisionit të Haradinajt duke shpalosur detaje nga takimi.

Në fshatin Lismir, në zonën ku po synohet të hapet miniera e re, KEK-u ndër vite ka hedhur dheun e mbledhur nga minierat ekzistuese.

Ndërkaq, nëse Qeveria përfundimisht vendos për këtë variant, atëherë kjo do të ishte kundër rekomandimeve të KEK-ut rreth vendit më të përshtatshëm për hapjen e Minierës së Re.

Në një analizë të Komitetit të krijuar nga kryeministri, një kopje të të cilës e ka siguruara ORAinfo, të datës 6 prill, variant i vazhdimit të minierës ekzistuese përmendet si më i përshtatshëm.

“Komiteti unanimisht propozon që fusha më e favorshme në aspektin tekniko-teknologjik është Varianti – Veri N.3.2, ku përfshihet fshati Hade, me kusht që Qeveria të garantojë zhvendosjen e fshatit Hade në vitet 2018/19”, thuhet në këtë analizë.

Komiteti në letrën e tij, për kryeministrin përmend një mori arsyesh pse duhet të vendoset për këtë variant.

“Fronti i hapur për tërë gjatësinë e shkallës në djerrinë dhe qymyr në jug dhe perëndim. Nga aspekti teknologjik sipas gjendjes ekzistuese shumë shpejt arrijmë deri të krijimi i rezervave të mjaftueshme të qymyrit për furnizim në kontinuitet. Kualiteti i qymyrit i përmbush parametrat e kërkuara. Rrugë me të shkurtra transportuese. Mirëmbajtje më pak e kushtueshme etj.”

Në fund të analizës, Komiteti edhe njëherë saktëson se duke u bazuar në të gjitha këto, “përcaktohemi për variantin e Fushës Veriore dhe propozojmë që variant më i favorshëm për Minierën e Re është përfshirja e fushës Hade”.

Ndërkohë varianti në fshatin Lismir, i cili pritet të marrë dritën jeshile nga Qeveria javën tjetër, përveç shumë paqartësive, ka si mangësi të madhe edhe kohën kur do të filloj aty nxjerrja e qymyrit.

Sipas analizës së KEK-ut, të siguruar nga ORAinfo, rezervat e para do të nxirreshin tek në vitin 2032. Po ashtu duhet të përzgjidhet një kompani e specializuar për heqjen e dheut të grumbulluar aty ndër vite.

“Në këtë zonë duhet të bëhet largimi i 110 milionë m3 masa të palosura të djerrinës që nënkupton mekanizëm diskontinuel. Blerja e 3 sistemeve të reja (Eskavator, Palosesa dhe shirita transportues).
Puna paralele në dy frontet dhe problematika e palimit të këtyre masave në palosje aktuale. Hulumtime gjeologjike të pamjaftueshme për sasinë dhe kualitetin e qymyrit”, janë vetëm disa nga mangesitë që analiza e KEK-ut përmend për këtë variant.

Ky devijim në hapjen e minierës së re, ka krijuar paqartësi tek institucionet vendimmarrëse rreth asaj se kush duhet të vendos për Minierën e Re. Kjo çështje është dashur të kryhet qysh në muajin mars.

“KEK nuk ka mundur të vendos për këtë çështje. Ka kërkuar ndihmën tonë si Qeveri. Kryeministri ka krijuar një komitet i cili i ka dhënë rekomandimet e tij”, kanë thënë burime të afërta me zhvillimet, duke shtuar se të gjithë presin që vendimin final ta marrë kryeministri Haradinaj.

Ky i fundit ka takuar këtë javë në takim anëtarët e Bordit të KEK-ut, menaxhmentin dhe anëtarët tjerë të Komisionit Teknik të Qeverisë, për të diskutuar rreth minierës së re, në kuadër të përgatitjeve për termocentralin Kosova e Re.

Por ai vendimmarrjen për hapjen e minierës së re e hodhi tek Bordi i KEK-ut.

“Jemi në ato etapat kur duhet të veprojmë saktë dhe në kohë në ato obligimet tona që lidhen me investimet për Kosovën e Re, edhe që është njëra prej atyre punëve kryesore, është miniera e re. Kisha propozuar që ju që jeni kompetentë të ngarkuar me përgjegjësi ta ndihmoni Qeverinë me veprimet e juaja në bazë të kompetencat që keni që punët në miniera të ndodhin në kohë”, tha Haradinaj. /ORAinfo/Telegrafi/