PZAP anulon vendimin e KQZ-së për Listën Serbe, Baraliu: Çështja pritet të shkojë në Gjykatën Supreme

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të anulojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të datës 21 gusht, për refuzimin e certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. KQZ kishte vlerësuar se kandidatët e kësaj partie nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.
Lidhur me këtë vendim, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të trajtojnë me seriozitet dokumentacionin dhe faktet e ofruara. Ai ka theksuar se Lista Serbe ndër vite është dëshmuar si e dirigjuar nga Beogradi.
“Është çështje e organit kompetent, PZAP-it, se si e ka vlerësuar. Do të duhej që secili të thellohet për të dhënë një vlerësim të duhur në dokumentacionin ekzistues të organeve të sigurisë dhe partisë LVV, që ka ofruar sipas tyre dokumentacion të mjaftueshëm për përjashtim nga regjistri. Është me rëndësi, nëse ka elemente – nga ato që dihen publikisht – që kjo organizatë politike është e teledirigjuar nga Beogradi dhe është instrument i tij”, ka deklaruar Baraliu për KosovaPress.
Ai ka shtuar se çështja pritet të kalojë në Gjykatën Supreme, e cila duhet të mbetet e paanshme dhe të mos ndikohet nga presionet politike. Sipas tij, ndërkombëtarët shpesh tregohen të njëanshëm kur është fjala për Listën Serbe.
“Mendoj që Gjykata Supreme duhet ta ketë shumë të qartë përgjegjësinë e saj dhe të analizojë mirë rastin. Nëse nuk ka elemente për çregjistrim, atëherë të lejohet gara, por nëse ka elemente, atëherë konkluzioni është i qartë se kjo organizatë është më shumë sesa një strukturë politike”, ka shtuar ai.
Baraliu ka kritikuar edhe sjelljen e partive politike në KQZ, duke thënë se abstenimet dhe mungesa e gatishmërisë për përgjegjësi dëshmojnë mungesë konsolidimi politik.
“Përfaqësuesit e partive në KQZ do të duhej të ishin më të përgjegjshëm, duke argumentuar vendimet pa dëmtuar askënd. Megjithatë, ekzistojnë argumente të shumta, sidomos pas ngjarjeve të Banjskës, që dëshmojnë shkelje të përhershme të Kushtetutës nga Lista Serbe”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, QUINT-i dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë reaguar ndaj refuzimit fillestar të KQZ-së për të certifikuar këtë subjekt.
Kujtojmë se KQZ kishte refuzuar certifikimin e Listës Serbe, me arsyetimin se kandidatët e saj ishin pjesë e strukturave paralele serbe dhe se partia është dorë e zgjatur e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.



































