"Putinit po i mbaron koha, arkivolet do të grumbullohen në Rusi", paralajmëron Austria

Beate Meinl-Reisinger, Ministrja e Jashtme Austriake dhe udhëheqësja e partisë liberale NEOS, foli në një intervistë me Die Welt rreth luftës në Ukrainë, situatës në Gaza, rolit të Austrisë në politikën e sigurisë dhe kufijve të liberalizmit.
Ajo tha se Kremlinit po i mbaron koha dhe forcat për të vazhduar luftën, dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh në politikën evropiane të mbrojtjes.
Kur u pyet nëse do të ketë një armëpushim në Ukrainë së shpejti, Meinl-Reisinger u përgjigj: "Ukraina dëshiron paqe, Rusia jo. Nëse Putini donte vërtet paqe, ai do të kishte filluar tashmë negociatat për një armëpushim".
“Në vend të kësaj, Rusia vazhdon me një luftë shkatërrimi.”
"Rusia po pëson humbje të mëdha. Në fund, arkivolet do të grumbullohen në Rusi", sipas ministres.
Përveç kësaj, ajo paralajmëron për "gjendjen katastrofike të ekonomisë ruse" dhe thotë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Kremlinin të vazhdojë luftën.
Duke komentuar idenë e neutralitetit austriak, Meinl-Reisinger tha se e ardhmja e sigurisë së Austrisë duhet të diskutohet hapur.
Edhe pse aktualisht nuk ka shumicë në favor të anëtarësimit në NATO, një diskutim i tillë konsiderohet i dobishëm.
"Neutraliteti në vetvete nuk na mbron. Ajo që na mbron është investimi në mbrojtjen dhe partneritetet tona. Austria tashmë kontribuon në politikën evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes - si financiarisht ashtu edhe politikisht."
Ajo kujtoi se roli i Austrisë ka ndryshuar ndjeshëm që nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian në vitin 1995, dhe se ushtarët austriakë marrin pjesë në misione të shumta paqeruajtëse të BE-së.
Duke folur për luftën në Gaza, Meinl-Reisinger theksoi se Austria "qëndron me Izraelin dhe e kupton luftën e tij kundër kërcënimeve të jashtme", por në të njëjtën kohë i dërgoi një mesazh të hapur qeverisë në Jerusalem.
"Duhet të themi si miq: nuk mund ta pranojmë më situatën humanitare në Gaza. E drejta ndërkombëtare humanitare duhet të respektohet."
Ndryshe, Austria është një nga më shumë se njëzet vendet që kërkojnë t'i japin fund luftës në Gaza.
Parakushtet për paqe, sipas Meinl-Reisinger, përfshijnë lirimin e pengjeve izraelite dhe shkatërrimin e organizatës terroriste Hamas. /Telegrafi/

















































