LAJMI I FUNDIT:

Putini dhe hija e Stalinit

Putini dhe hija e Stalinit

Gjithsesi: presidenti Vladimir Putin përuroi vetëm 40 minuta më këmbë larg Sheshit të Kuq, një memorial të ri për viktimat e represionit politik – “Murin e Vajtimit”. Kjo duhet vlerësuar. Deri tani Putini është shprehur në mënyrë kontradiktore lidhur me Stalinin. Ai e quante dikur diktatorin gjeorgjian një “udhëheqës të aftë”. Madje, në shtator ai lejoi që para një muzeu të historisë së ushtrisë të vendosej një bust i Stalinit. Tani shefi i Kremlinit pa asnjë mëdyshje i dënoi krimet e kohës së Stalinit: miliona të pafajshëm janë vrarë, janë mbyllur nëpër burgje dhe janë deportuar në Siberi.

Me fjalët e tij, presidenti distancohet nga Stalini. Kjo duhej bërë sepse koha nuk priste më. Nuk ka asgjë për të zbukuruar dhe as për të shfajësuar prej krimeve të Stalinit dhe Leninit e të pasuesve të tyre. Fjalët e Putinit do të fitonin edhe më shumë peshë, nëse do të pasoheshin nga veprat. Sepse, presidenti nuk mundet të vajtojë viktimat e dhunës politike dhe njëkohësisht të përndjekë opozitarët apo të verë mediat nën kontroll.


Dilema e Putinit është se si ta zbardhë historinë tragjike të vendit të tij, pa rrezikuar me këtë pushtetin e vet – vetëm pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale? Në çdo rast Putini gjithmonë ka vendosur për ruajtjen e pushtetit. Sepse, Mantra e tij është: stabiliteti. Ai është i lidhur më rrënjë të forta me skenën e forcave të sigurimit. Shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik – në sytë e tij një shtet që funksiononte mirë – ai e ka perceptuar si katastrofë dhe pështjellimet e viteve ‘90-të, si një poshtërim të Rusisë. Ky shef i Kremlinit në radhë të parë synon të pengojë përsëritjen e historisë së re. Krimet e Stalinit apo të Leninit janë për të shumë të largëta dhe nuk e prekin. Për të kjo është një temë me të cilën duhet të merren historianët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Pavarësisht gjithë kritikave të drejta ndaj Putinit, një gjë është pozitive: fakti që ai ia ka dorëzuar publikut “Murin e Vajtimit”. Ndoshta në vigjilje të përvjetorit të të ashtuquajturit Revolucioni i Tetorit do të rihapet diskutimi se si duhet komportuar me historinë. Por, pasqyrë e së ardhmes mundet, por nuk duhet të jetë e kaluara.