Këngëtari amerikan Chris Brown ka shkaktuar reagime të shumta gjatë turneut të tij të fundit, “Breezy Bowl XX”, për shkak të skenave të konsideruara tepër provokuese që zhvillon gjatë performancave live.

Gjatë disa koncerteve, përfshirë ndalesat në Hamburg dhe Manchester, Brown është parë duke ftuar gra nga publiku në skenë, me të cilat angazhohet në koreografi me përmbajtje eksplicite.


Pamjet që qarkullojnë në rrjete sociale e tregojnë atë duke u fërkuar me to, duke i shtrirë në divan, si dhe duke shkëmbyer puthje në buzë – veprime që kanë shkaktuar debat të gjerë online.

Kritikat janë shtuar veçanërisht nga përdorues të rrjeteve sociale dhe pjesë e audiencës, që e konsiderojnë sjelljen e tij si të papërshtatshme për një mjedis koncerti, sidomos kur në sallë ndodhen edhe të mitur.

Disa e kanë cilësuar këtë qasje si “shfaqje me përmbajtje seksuale” dhe e kanë akuzuar artistin për objektivizimin e grave në emër të spektaklit.

Në koncertin në Manchester – qyteti ku këngëtari u arrestua muajin e kaluar për një sulm të dyshuar në një klub nate – Brown iu drejtua audiencës me ironi: “Faleminderit që më ftuat.

Faleminderit burgut, ishit vërtet të sjellshëm”, tha ai me buzëqeshje, duke bërë shaka me incidentin e tij të fundit ligjor.

Kjo nuk është hera e parë që Chris Brown përfshihet në polemika të këtij lloji, dhe sjellja e tij skenike ka rindezur diskutimet për kufijtë midis performancës artistike dhe etikës publike, sidomos në ambiente të hapura për moshat e ndryshme. /Telegrafi/