Në shumicën e shteteve demokratike në të gjithë botën ekziston ndarja e pushtetit shtetëror në ekzekutiv, ligjvënës dhe gjyqësor.
Funksionimi i pavarur i këtyre pushteteve, është bazë e mirë për një shtet demokratik, shtet të së drejtës, shtet që proklamon dhe mbron të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, pronës etj. Edhe tek ne, në Kosovë ekziston një ndarje e tille, por “formale”. Mirëpo nëse ndalësh dhe mendon mirë, vëren se kjo mbetet vetëm në kuadër të parimeve kushtetuese, gjë që më së paku është pritur nga secili prej nesh, e aq më pak kur dihet mirë sakrifica që populli i Kosovës ka bërë vetëm e vetëm që ta gëzojmë shtetin.

Ndërhyrjet brutale të politikës në sistemin gjyqësor të Kosovës, mos miratimi i ligjeve për reformimin dhe ristrukturimin e gjykatave, mungesa e komisionit për provimin e jurisprudencës, ekzistimi i disa ligjeve të zbatueshme në të njëjtën kohë, kanë bërë të vetën. Nëse problemin e shikojmë nga një rrafsh tjetër, a nuk ju duket absurd të flitet për reforma në gjyqësi kur pothuajse të gjithë kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë në procesin e riemërimit, janë të njëjtit që kanë qenë deri me tani, pra mesatarja e moshës së tyre është diku 50 vjeç, e nëse merret parasysh edhe veprimtaria e kaluar e disave prej tyre duke u implikuar në afera të kundërligjshme, si dhe gjykimet politike që disa nga ata i kanë bërë në kohën e masave diskriminuese të aplikuara nga Serbia në periudhën 1989-1999 ndaj shqiptarëve, dhe niveli i ulët i besimit të qytetareve në këta gjyqtarë, atëherë vetvetiu ky proces bëhet shumë relativ.


Por, kush ka faj për këtë? Po të pyesnim qytetarët e Kosovës, jam i bindur që përgjigjja e tyre do të ishte: Qeveria! Edhe për mua përgjigjja më korrekte do të ishte Qeveria. Ja arsyeja: Draftet e ligjeve për reformimin e sistemit gjyqësor ka filluar t’i mbulojë pluhuri dhe myku në ndërtesën e qeverisë së republikës së shumëpritur. Me lejoni t’ju jap disa shembuj: Projekt ligji mbi gjykatat, projekt ligji mbi organizimin e këshillit gjyqësorë, projekt ligji mbi prokuroritë publike, projekt ligji mbi organizimin e këshillit prokurorial etj, janë disa nga ligjet që mendohet se do të sjellin një bazë të re për një funksionim më të mirë të gjyqësorit në Kosovë.

Arsyet e mos procedimit të tyre për miratim në Parlament janë të shumta, por arsyet më të bazuara sipas mendimit tim janë: siç duket nuk ka pasur koordinim në mes të Qeverisë për përmbajtjen e ligjit meqë që nga marsi i viti të kaluar ato ligje mbesin në zyrën e kryeministrit, dhe e dyta, kam përshtypjen se një telashe tjetër mund të jetë aplikimi i mandateve të bashkësisë ndërkombëtare si dhe procesi i organizimin institucional (decentralizimi dhe 6 pikshi) që kanë ndikim direkt në përmbajtjen e ligjit.

Fundi fundit, çkado që të jetë arsyeja neve si qytetarë të Kosovës s’po na intereson. Me rëndësi me e dit është që 10 vjet pas lufte, qeveritarët e kanë gojën plot sundim të ligjit e në praktikë nuk po mund të merren vesh për t’i aprovuar ligjet që do ta përmirësonin këtë të shumëfolurin ‘sundim të ligjit’.

Sigurisht, dikujt i konvenon një situate e tillë, ama jo qytetarëve të rendomë që presin me nga 10 vite për të zgjidhur një kontest në gjykata, apo shumë shpesh detyrohen të marrin drejtësinë në duart e tyre si pasojë e mos funksionimit të sistemit gjyqësor.

Tendenca për kontroll të sistemit gjyqësor vërehet edhe në mungesën e komisionit për provimin e jurisprudencës, që dy vite me radhë në sistemin gjyqësor të Kosovës nuk kemi jurist të ri. Kjo prapë me fajin e Qeverisë, më konkretisht Ministrisë së Drejtësisë si institucion që është i obliguar me ligj të sjellë propozim-vendime dhe Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi në kuadër të parlamentit i cili shqyrton ligjshmërinë e këtyre propozimeve për komisionin e jurisprudencës.

Në një raport të BIRN-it, Bahri Hyseni, si kryesues i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, thotë se shumica e kandidatëve që i ka dërguar ministria nuk i plotësojnë kriteret ligjore. Në anën tjetër, Astrit Kolaj, zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë shfajësohet duke thënë së KLGJ-ja është ai që po bllokon këtë proces.

Nëse i merr dhe shikon emrat e kandidatëve të propozuar për këtë komision, është tepër e lehtë për të kuptuar përse nuk është konsoliduar ende. Egoja e partive në koalicion për të kontrolluar gjithçka dhe me çdo kusht, pa marr parasysh çmimin që paguaj qytetaret, ka qenë shkaku kryesor që ka bllokuar këtë proces.

Ministrja Kelmendi ka propozuar kandidatët si Iliriana Islami, Vjosa Osmani, pastaj Ruzhdi Berisha etj. Dy të parat nuk mund të jenë në këtë komision sepse Islami është gjyqtare në gjykatën kushtetuese ndërsa Osmani është këshilltare e presidentit të Kosovës. Berisha, në anën tjetër, sipas Bahri Hysenit nuk i përmbush kushtet sepse nuk ka provoje të punës si gjyqtarë 10 vite pa ndërprerë. Por, se këta emra janë të afërt me LDK-në është mase e qartë, përfshire edhe Ruzhdi Berishën, i cili publikisht për ‘’Jeta në Kosovë ‘’ ka pranuar se kohë më parë ka qenë anëtar i kësaj partie.

Ndërsa, sigurisht tabori tjetër PDK, ka kandidatet e vet të cilët nuk i janë futur në propozim-vendim si Nerxhivane Dauti e Arsim Bajrami. Sigurisht kjo do t’ju sjellë shumë profite partive politike sepse duke pasur njerëz të vet në këtë komision do të mund të vendosnin se kush do të jetë pjesë e sistemit gjyqësor në të ardhmen. Me pas dëshirë me i pas ‘njerëzit e tu’ në sistemin gjyqësor është indikacion se partitë tona po planifikojnë edhe thyeje të ligjit sepse nuk ka logjikë tjetër pse të kesh nevojë dikush me e nda drejtësinë në anën tënde nëse ti vetë je i/e pastër. Pra, sa po e shoh unë aq naiv që jam, atë [ka po donë partitë në pushtet është pushtet i varur gjyqësor, jo i pavarur?

Mirëpo nuk jam aq naiv për të konstatuar se fajin e kanë vetëm qeveritarët. Një pjesë e fajit ju bije vet juristëve të rinj të cilët heshtin. Flas nga provoja ime kur jam munduar të marrë unkuadrimin e tyre për të bërë jë raport për këtë temë, dhe pas shumë tentimeve për t’i pyetur se cili është qëndrimi i tyre si gjeneratë e re e cila duhet të sillte ndryshime në këtë sistem kam dal i dëshpëruar. Përgjigjja e shumicës prej tyre ishte ’jo nuk mund të flasë sepse më hakmerren pastaj kur i nënshtrohem provimit të jurisprudencës’. Nuk mund të mos pyetem, athua nëse kolegët e mi juristë s’janë në gjendje madje të ngrisin zërin që ta paraqesim këtë problem publikisht, atëherë athua ndoshta e meritojmë qeveritarët me luajt me neve qytetarëve të Kosovës.

Nuk mund të mos pyetem se athua, a jemi ne këta të rinj ‘Evropianët e Rinj’ (Young Europeans) te reklamave të qeverisë së Kosovës që kanë kushtuar me miliona. Botës po ja tregojmë një imazh të të rinjve të pashëm e të gatshëm me maru shtet, e brenda në Kosovë këta të ngjashmit po ndihen të shtypur e të disiplinuar para autoritareve të cilët ja prishin karrierën me bo me guxu me ngrit zanin!

Reklamimi dhe thënia retorike e pushtetarëve kaq shumë e përdorshme në media “askush nuk është mbi ligjin” është motivuese, megjithatë është jo morale të shpenzohen të holla në emër të përmirësimit të imazhit në boten e jashtëm, kur “molla” është e kalbur nga brenda. Të rinjtë vazhdojnë të konsiderohen e ardhmja e Kosovës. Nëse i bëjmë një analizë të shkurt situatës kjo nënkupton faktin që vetëm në moshën dikund 40-50 vjet mund të jemi gjyqtar apo prokuror apo mund të jemi pjesë e vendim-marrjes, po them gjyqtar ose prokuror pasi që po flitet për sistemin gjyqësor. Prandaj nuk do të duhej ta mbanim gojën mbyllur, por të fillojmë të mendojmë për vetën, e jo të tjerët për ne. Nëse vazhdojmë të heshtim, duke pranuar një qeverisje që aktualisht është e instaluar, me tendencë te kontrollimit te çdo gjëje, sigurisht se nuk mund të mendohet për ndarje të pushteteve, e aq ma pak pushtetit gjyqësor.

(Autori është hulumtues dhe gazetar i drejtësisë në BIRN. Momentalisht i ndjek studimet e Master në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës)