LAJMI I FUNDIT:

Pushteti i butë dhe i mprehtë i Kinës

Pushteti i butë dhe i mprehtë i Kinës

Kina ka investuar miliarda dollarë për të rritur pushtetin e vet të butë, por ajo ka hasur pengesa kohët e fundit në vendet demokratike. Një raport i ri nga Ndihma Kombëtare për Demokraci (National Endowment for Democracy, NDI) argumenton se ne duhet të rimendojmë mënyrën se si e shohim pushtetin e butë (soft power), për shkak se “fjalori konceptual që është përdorur që nga fundi i Luftës së Ftohtë nuk duket më i përshtatshëm për situatën bashkëkohore.”

Raporti përshkruan se si influencat e reja autoritariste po ndjehen nëpër botë si “pushtet i mprehtë” (sharp power). Një kryeartikull i kohëve të fundit te The Economist përshkruan “pushtetin e mprehtë” si të tillë që bazohet te “korruptimi, frikësimi dhe presioni, të cilat kombinohen për të promovuar vetë-censurën.” Ndërsa pushteti i butë vjel joshjen kulturore dhe joshjen nga vlerat për të shtuar forcën e një vendi, pushteti i mprehtë ndihmon regjimet autoritare të imponojnë bindje në shtëpi dhe të manipulojnë opinionin jashtë vendit.

Termi “pushtet i butë” – aftësia për të ndikuar të tjerët me tërheqje dhe bindje dhe jo përmes pushtetit të fortë të detyrimit dhe pagesës – në disa raste përdoret për të përshkruar ushtrimin e pushtetit që nuk përfshin përdorimin e forcës. Por ky është një përshkrim i gabuar. Pushteti në disa raste varet nga ajo se ushtria apo ekonomia e kujt fiton, por mund të varet edhe nga ajo se narrativa e kujt fiton.

Një narrativë e fortë është një burim pushteti. Suksesi ekonomik i Kinës ka gjeneruar si pushtet të fortë ashtu edhe pushtet të butë, por brenda kufizimeve. Një paketë ndihmash ekonomike kineze nën Iniciativën Zonë dhe Rrugë mund të duket pozitive dhe tërheqëse, por nuk është kështu në rast se kushtet janë të hidhura, siç ishte rasti i fundit në një projekt portual në Sri Lanka.

Në mënyrë të ngjashme ushtrime të tjera të pushtetit të fortë ekonomik e kanë dëmtuar pushtetin e butë të narrativës kineze. Për shembull, Kina ndëshkoi Norvegjinë sepse i dha Çmimin Nobel për Paqe Liu Xiaobo. Ajo kërcënoi gjithashtu të kufizojë aksesin te tregjet kineze për një botues australian i cili botoi një libër kritik për Kinën.

Nëse ne përdorim termin pushteti i mprehtë si term për të kuptuar luftën informative, kontrasti me pushtetin e butë bëhet më i qartë. Pushteti i mprehtë është një lloj pushteti i fortë. Ai manipulon informacionin, i cili është i paprekshëm, (në kuptimin jofizike) por paprekshmëria nuk është karakteristika dalluese e pushtetit të butë. Kërcënimet verbale, për shembull, janë njëkohësisht jofizik dhe imponues.

Kur unë prezantova konceptin e pushtetit të butë më 1990, unë shkrova se ky pushtet karakterizohet nga vullnetarizmi dhe mungesa e direktivave, ndërsa pushteti i fortë mbështetet te kërcënimet dhe nxitjet. Nëse dikush të drejton një armë, kërkon paratë e tua dhe të merr kuletën, ajo që ti mendon apo dëshiron nuk ka rëndësi. Ky është pushtet i fortë. Nëse ai të bind ty t’i japësh para, ai e ka ndryshuar atë që ti mendon apo dëshiron. Kjo është pushtet i butë.

E vërteta dhe të qenit të hapur krijon një vijë ndarëse mes pushtetit të butë dhe pushtetit të mprehtë në diplomacinë publike. Kur agjencia zyrtare e lajmeve të Kinës, Xinhua, transmeton haptazi në vende të tjera, ajo po përdor teknika të pushtetit të butë dhe ne duhet ta pranojmë këtë. Kur Radio Kina Ndërkombëtare mbështet fshehtazi 33 stacione radioje në 14 vende, kufiri i pushtetit të mprehtë është kapërcyer, dhe ne duhet të vëmë në dukje këtë thyerje të vullnetarizmit.

Natyrisht, reklamimi dhe bindja gjithmonë përfshijnë një shkallë të caktuar mashtrimi, gjë që kufizon vullnetarizmin, ashti siç ndodh edhe me tiparet strukturore të mjedisit shoqëror. Por mashtrimi ekstrem mund të shihet si imponues; ndonëse jo i dhunshëm, mashtrimi parandalon zgjedhjen e bazuar në logjikë.

Teknikat e diplomacisë publike që shikohen gjerësisht si propagandë nuk mund të prodhojnë pushtet të butë. Në një epokë informacioni, burimet më të rralla që ekzistojnë janë vëmendja dhe besueshmëria. Kjo është arsyeja se pse programet e shkëmbimit që zhvillojnë komunikim me dy drejtime dhe marrëdhënie personale mes studentëve dhe udhëheqësve të rinj janë shpesh gjeneratorë shumë më efikasë të pushtetit të butë se sa, fjala vjen, transmetimet televizive zyrtare.

Shtetet e Bashkuara kanë pasur prej kohësh programe që mundësojnë vizita nga udhëheqës të rinj të huaj ndërsa tani Kina po ndjek me sukses këtë model. Ky është një ushtrim i mençur i pushtetit të butë. Kur vizat manipulohen apo kur aksesi kufizohet për të përmbajtur kriticizmin dhe nxitur vetëcensurën, edhe programe të tilla shkëmbimi mund të bien në kategorinë e pushtetit të mprehtë.

Ndërsa demokracitë i përgjigjen pushtetit të mprehtë të Kinës dhe luftës informative, ato duhet të jenë të kujdesshëm të mos reagojnë me tepri. Shumica e pushtetit të butë që demokracitë kanë, vjen nga shoqëria civile, gjë që do të thotë se të qenit të hapur është aseti kyç. Kina mund të gjenerojë më shumë pushtet të butë nëse ajo relakson kontrollet strikte të partisë mbi shoqërinë civile. Në mënyrë të ngjashme, manipulimi i medias dhe mbështetja te kanalet e fshehta të komunikimit shpesh redukton pushtetin e butë. Demokracitë duhet të shmangin joshjen për të imituar këto mjete të pushtetit të mprehtë autoritarist.

Për më tepër, mbyllja e mjeteve të ligjshme të pushtetit të butë të Kinës mund të rezultojë kundërprodhuese. Pushteti i butë shpesh përdoret për qëllime konkurruese me rezultat zero; por ai mund të ketë edhe aspekte të rezultatit pozitiv.

Për shembull, nëse Kina dhe SHBA duan të shmangin konfliktin, programet e shkëmbit që rrisin simpatinë e Amerikës në Kinë, dhe anasjelltas, mund të jenë në përfitim të të dyja vendeve. Dhe në çështje të tilla transnacionale si ndryshimet klimaterike, ku të dyja vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi, pushteti i butë mund të ndihmojë për të ndërtuar besim dhe të krijojë rrjetet që e bëjnë një bashkëpunim të tillë të mundshëm.

Ndërsa mund të jetë e gabuar të ndalosh përpjekjet e Kinës për pushtet të butë thjeshtë për shkak se këto përpjekje në disa raste kanë hijen e pushtetit të mprehtë, është gjithashtu e rëndësishme të monitorohet vija ndarëse me kujdes. Për shembull, Hanban, agjencia qeveritare që menaxhon 500 Institute Konfuci dhe mbi 1 mijë klasa Konfuciane që Kina mbështet në universitete e shkolla nëpër të gjithë botën për të dhënë mësime mbi gjuhën dhe kulturën kineze, duhet t’i rezistojë joshjes që të vendosë kufizime në lirinë akademike. Kapërcimi i kësaj vije ndarëse ka sjellë në disa raste ndalimin e disa Instituteve Konfuciane.

Siç tregojnë raste të tilla, mbrojtja më e mirë kundër përdorimit të programeve të pushtetit të butë të Kinës si mjete të pushtetit të mprehtë është që tentativa të tilla të vihen në pah. Dhe kjo është pika ku demokracitë kanë një avantazh. /Project Syndicate/reporter.al/