Pushimet mbi të gjitha - prindërit udhëtojnë drejt Marokos, djalin e lënë vetëm në aeroportin e Spanjës
Një punonjëse në Aeroportin El Prat të Barcelonës ka treguar së fundmi historinë “totalisht surrealiste” të një çifti që lanë djalin e tyre 10-vjeçar në terminal, pasi zbuluan se pasaporta i kishte skaduar.
Lilian Limasin, kontrollore trafiku ajror në aeroportin El Prat të Barcelonës, e ndau këtë ngjarje të jashtëzakonshme në TikTok, duke treguar se ajo ndodhi muajin e kaluar në vendin e punës.
Dita kishte nisur në mënyrë të zakonshme, por gjatë përgatitjeve për nisjen e një aeroplani drejt Casablankës, Marok, në orën 08:30 të mëngjesit, Limasin mori një mesazh emergjent për të ndalur nisjen e aeroplanit deri në një njoftim të dytë.
Pak minuta më herët, policia katalanase kishte gjetur një fëmijë të vogël duke u endur vetëm në terminal. Ai u kishte thënë se prindërit e kishin lënë vetëm, raporton odditycentral.
Fillimisht, u bë një thirrje emergjente nëpërmjet altoparlantëve të aeroportit që prindërit të paraqiteshin, por askush nuk reagoi. Stafi i aeroportit i kërkoi fëmijës më shumë informacion dhe kuptuan se prindërit e tij tashmë ndodheshin në aeroplanin për në Casablanca. Në atë moment, Garda Civile Spanjolle kërkoi ndalimin e menjëhershëm të nisjes së avionit për të zgjidhur situatën.
@limasin41 Historias de aeropuerto surrealistas!! #aeropuerto #abandono #historytime #flightdispatcher #viralvideos #paratiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii
Kur policia i mori në pyetje prindërit e djalit 10-vjeçar, shpjegimi i tyre për ta lënë vetëm në aeroport ishte tronditës. Çifti donte të shkonte me pushime në vendin e tyre të origjinës, Marok, bashkë me dy fëmijët, por hasën një problem të madh: gjatë kontrollit të dokumenteve, zbuluan se pasaporta e djalit të madh kishte skaduar. Në vend që të anulonin udhëtimin, ata thjesht e lanë atë në aeroportin El Prat dhe telefonuan një të afërm për ta marrë, ndërkohë që vetë nxituan të kapnin aeroplanin.
“Pasaporta kombëtare i kishte skaduar, ndaj po udhëtonte me pasaportën spanjolle, por asaj i nevojitej vizë për të qenë e vlefshme. Pasi nuk kishin vizë, ata e lanë fëmijën në terminal dhe thirrën një familjar që ta merrte”, shpjegoi Lilian Limasin.
Kontrollorja shtoi se prindërit mendonin se veprimi i tyre ishte “plotësisht normal”, por policia, natyrisht, nuk ishte e këtij mendimi.
Çifti tani akuzohet për braktisje të një të mituri dhe për shkaktimin e vonesës së ndjeshme të fluturimit. Sipas mediave spanjolle, autoritetet do të vendosin ndëshkimin e tyre pasi të përfundojë hetimi nga shërbimet sociale. /Telegrafi/






























