LAJMI I FUNDIT:

Punësim në Katar apo…?

Derisa po shëtisja vërdallë nëpër tituj të portaleve, sytë më kapën një titull që ishte pak më ndryshe nga ata që po lexoja deri atëherë. Një portal nga Ballkani shkruante në lidhje me disa marrëveshje shtetërore bilaterale që po bënte Maqedonia dhe Bosnja me Katarin, vendin e parajsës për ata të cilët kanë humbur rrugën në ferr. Sipas disa portaleve dhe blogjeve të ndryshme, gjendja e femrave të cilat qeveritë e tyre po i dërgojnë në Katar për punë sezonale, është e mjerueshme. Ambasada e Indonezisë dhe Filipineve tregon se çdo ditë në dyert e sajë trokasin 3-4 raste për të kërkuar ndihmë nga keqtrajtimi që iu bëhet këtyre femrave. Dhuna seksuale, deprivimi nga ushqimi dhe sjelljet çnjerëzore janë disa nga problemet që trajtojnë këto portale.

Nuk ka se si të mos tmerrohesh, kur lexon me shumë mburrje fjalët e Fatmir Shurdhit nga Ministria e Punës në lidhje me paralelet që ai tërheq për projektin e tyre që janë në finalizim e sipër të “misionit të pamundur” për të ulur papunësinë në Kosovë.

Prostitucioni është një veprimtari për të cilën shumë femra janë të shtyra të kryejnë si rezultat I gjendjes së tyre sociale, apo kur ato manipulohen nga të dashurit e tyre me premtimin se kjo punë do të jetë afatshkurtër. Kur një gjë e tillë bëhet në mënyrë shtetërore, duke iu premtuar njerëzve se ky lloj punësimi sezonal qenka i mirëpritur dhe se gjithçka do të shkojë në procedura të rregullta duke shpallur konkurse e çka jo, të bën të tmerrohesh.

Është shumë e lehtë t’ju hedhësh hi syve popullit, kur zyrtarët bëjnë krahasime se gjoja programi I Katarit është njëlloj si ai i Gjermanisë, sepse edhe Gjermania po kërkon punëtorë sezonal. Sipas disa gjasave, disa nga pushtetarët tanë kanë munguar në orën e gjeografisë kur harta e botës ishte shpjeguar. Gjermania dhe Katari jo vetëm se janë në pozita të ndryshme gjeografike, por mentaliteti, ligjet dhe të drejtat njerëzore ndryshojnë thelbësisht. Tërheqja e paraleleve të tilla është e rrezikshme.

Mjafton të ndash vetëm 30 minuta nga koha jote dhe të lexosh se cfarë shkruhet për abuzimin e “shtëpiakeve” në Katar. Sipas këtyre portaleve, blogjeve dhe gazetave elektronike, ky është një problem në rritje e sipër dhe qeveritë e vendeve të cilat kanë nënshkruar këto marrëveshje, kanë pak – për të mos thënë hiç – mundësi mbrojtje të individëve të cilët përfundojnë si “mish i shitur” për shtëpitë luksoze të “parajsës ferr”.

Nëse kjo marrëveshje, që është në proces të finalizimit mes Kosovës dhe Katarit është analizuar dhe dihet se çfarë i pret këta individ kur të arrijnë në Katar, atëherë unë nuk mund të them asgjë tjetër përveç se personat të cilët avokojnë për një gjë të tillë duhet të kenë mendimin kriminal shumë të zhvilluar, që të bënë të frikohesh nga monstrumiteti i të menduarit të tillë.

Nëse mund të besohet se Qeveria e Kosovës nuk ka dijeni për një gjë të tillë, atëherë unë do të thosha që ndoshta do të ishte mirë që para se të nënshkruheshin marrëveshje të tilla, të analizoheshin rrethanat dhe jo vetëm të bazoheshin në atë se çfarë është e shkruar në ligje.

Nëpër disa vende të botës ligji dhe realitet kundrejt respektimit të ligjit janë dy bota të ndryshme. Ligji i punës i shtetit të Katarit nuk aplikohet për punëtorët të cilët punojnë si “shtëpiake”, pasi që ato konsiderohen si pjesë e familjes, atëherë si mund të mbrojë Kosova këto femra nga dhunimi, keqtrajtimi etj.?

Sipas rrëfimeve të femrave të cilat ishin pre e iluzionit që po shkonin të gjenin një punë sezonale, atyre në momentin e arritjes iu merren dokumentet identifikuese; nuk kanë të drejtë që të kenë llogari bankare; janë të deprivuara nga ushqimi dhe shpesh përfundojnë të dhunuara ose të vdekura. Sipas ligjit shtetëror të Katarit, të gjithë ata të cilët duan të dalin nga shteti (Katari) duhet të posedojnë një vizë dalëse (Exit Visa) për të cilën duhet të aplikojë punëdhënësi.

Një legjislacion të tillë Human Rights Watch, në maj të këtij viti ka kërkuar që të eliminohet pasi paraqet një nga mundësitë e abuzimit me njerëz. Në anën tjetër, në raportin “Trafficking in Persons” (2008) të Departamentit amerikan të Shtetit, theksohet se qindra-mijëra individë kryesisht nga Azia dhe Afrika, hynë në zinxhirin e “skllavërisë moderne”, në mënyrë vullnetare, pasi ju premtohen paga të majme, e të cilët (individët) pastaj dhunohen dhe janë të shtyrë me forcë që të punojnë nëpër shtëpi të ndryshme në këtë shtet. Sipas Human Rights Watch, personat jo shtetas të Katarit përbëjnë 85 për qind të fuqisë punëtore në vend, të cilët shpesh ballafaqohen me dhunime, mos pagesa, mbajtje në vend kundër dëshirës së tyre etj.

Shtetet në botë mundohen që të mbrojnë qytetarët e tyre nga çdo lloj problemi që mund të kenë, kur ata gjinden jashtë vendit, duke aranzhuar edhe forcat më elite në misione për shpëtimin e tyre, ndërsa Kosova duan që të nënshkruajnë marrëveshje për eksploatimin e qytetarëve të saj. Duke ditur se Kosova si shtet nuk ka as forcë e as reputacion të ndihmojë ndonjërin nga qytetarët e saj në raste të tilla, të paktën duhet që të preventojnë mundësinë e qytetarëve që të gjinden në situata të rrezikshme, e jo të promovojnë atë. Çfarë do të bënte Kosova nëse një qytetar i saj mund të përballej me problemin e njëjtë, siç po përballen shume femra nga Filipinet, ku kundrejt tyre bëhen abuzime nga më çnjerëzoret? Do ta bombardojë Katarin? Apo do të dërgojë njësitë speciale në ndihmë të qytetarëve të cilët vet i ka dërguar atje?

Shumë nga ne mund të mendojmë se një gjë e tillë (puna si shtëpiake në Katar) mund të jetë ëndërr e mjerimit tonë në të cilin po kalojmë, e servuar mirë nga shteti i cili po bën marrëveshje me një qeveri të vendit tjetër, sepse në parim shteti nuk mund të mendojë keq për qytetarët. Por, kur pushtetarët hedhin zaret në kurriz të popullit për të mbajtur një kolltuk duke ulur papunësinë në vend nëpërmjet “legalizimit” të trafikimit njerëzor, s’të le tjetër të mendosh veçse të të vije keq për vendin tënd dhe dinjitetin e humbur në kaos.

Qeveria e Kosovës duhet të ndalojë nënshkrimin e një marrëveshje të tille, si dhe ketë kujdes në glorifikimin e marrëveshjeve të tilla ku qytetarët mund të bëhen pjesë e zinxhirit të fortë të skllavërisë moderne. Shteti është ai që duhet të mbrojë qytetarët dhe jo të trafikojë me ta.