LAJMI I FUNDIT:

Publiku kundër qytetarëve

Publiku kundër qytetarëve

Është sezoni i tretë. Është serial tashmë. Edhe herëve të tjera është luajtur shahu në politikën kosovare. Shumë herë kemi qëndruar deri pas mesnate, përplot tensione, për të pritur vendime “vendimtare” për fatin tonë. Zakonisht kanë luajtur të tjerët me ne, por kemi lozur edhe vetë.

Për shembull, në vitin 2015, kur dukej se më në fund diçka po ndryshon, u shpenzuan gjashtë muaj për bisedime, për një koalicion që njihej me emrin e shkurtër VLAN. Ky proklamohej si koalicion për ndryshime, i cili synonte të “ç’kapte shtetin”. Marrëveshja për bashkëqeverisje u arrit, por jo me partnerët me të cilët “çonin dashuri” politike para kamerave. Marrëveshja u arrit pikërisht me “armikun” e përbashkët. Më kot “shahej” tashmë kryeministri, Mustafa s’e kishte bërë atë që ishte betuar se nuk do ta bënte kurrë. Qysh ka thënë i moçmi, “Never Say Never”!


Modeli i këtyre bisedimeve, pra një tip akullnaje ku pjesa më e madhe gjendet larg syve të publikut, ishte një lojë me nervat e qytetarëve dhe të faktorit ndërkombëtar që kërkonte sa më shpejt një qeveri. Vetëm diçka më pak se tri vite më vonë, LDK do të nxirrej në opozitë nga partneri i saj, pasi me dy partnerët e tjerë nga ish-VLAN, pikërisht në mesnatë, do të lidhnin “kurorë” për të mirën e Kosovës – siç deklaroheshin atëherë. Jashtë qeverisjes u la përsëri Lëvizja Vetëvendosje, e cila u “mund” duke u kapur në “vegzën” kushtetuese, se fituesi “relativ” jep detyrimisht mandatarin.

Do të thuhej me të drejtë se secili e gjen partnerin që e meriton në jetën politike, por mbetet e paqartë përse ende ka nevojë për këtë lojë nervash dhe “tradhti” në minutën e fundit? Përse “cajtnoti”?

Ajo që dikur quhej “shteti i kapur”, duket në veprim pikërisht në këto çaste. Ka disa lojtarë shahu të cilët pikërisht në “cajtnot” e arrijnë kulmin e përqendrimit, por ka edhe të atillë të cilët ngulfaten. Ai që e pëson është publiku, edhe pse notat dramatike e rrisin adrenalinën dhe për shumëkënd është një gjendje ideale kur kënaqet me debatet e pafundme në të cilat askush nuk e dëgjon askënd, ku gjithçka është personale, ku nxirren në publik krejt të brendshmet e politikës si arsye për gjendjen e keqe në të cilën ndodhet vendi.

Sidoqoftë, e gjithë kjo detyrimisht na sjell te momenti kur, për shkak të presionit, sidomos të ambasadave dhe emisarëve, bëhemi të vetëdijshëm se ka një afat kushtetues kur duhet përmbyllur gjithçka me një marrëveshje “fer” të cilën e presin të gjithë. Nëse jo “fer”, atëherë me një marrëveshje të mundshme. Krejt bëhet me qëllim që marrëveshja “fer” të zëvendësohet me një të mundshme, me aprovimin e publikut. Publiku, jo qytetari, është aleati i krijuesve të krizës.

Përpjekja për ta sjellë në “cajtnot” kundërshtarin, sjell nga ana tjetër përpjekjen për të dalë nga “cajtnoti” me forma të zhagitjes së ligjshme. Ofendimet e partnerëve mbushin portalet dhe sidomos rrjetet sociale, duke liruar krejt energjinë negative që është mbledhur kafeneve dhe odave dhe duke e sjellë atë në sipërfaqe si “vox populi”. Në fakt, mbi të gjitha, në kohën e medias totale, demokracia është argëtim i pafund për masën. Masa me asgjë nuk qesh më ëmbël, sesa me fatkeqësinë e vet.

Pse cajtnoti? Pse zhegitjet dhe sllallomi nëpër normat kushtetuese dhe ligjore?

Kjo tregon se, mbi demokracinë dhe mbi qëllimet e mira publike, janë qëllimet dhe interesa tjera, ato të oligarkisë vendore dhe rajonale, e mbase edhe globale, dhe se e gjithë kjo do të zgjasë derisa të kapet kombinimi i duhur që premton bisedime me Serbinë. Formula që e mbajti Thaçin në pushtet ishte pak a shumë se ai mund të bënte çka të donte në çështjet e brendshme, nëse bashkëpunonte në ato rajonale. Pra, problemi zgjidhet kur të sigurohet vazhdimësia dhe kjo aspak nuk ka të bëjë me individët, as me partitë.

Sidoqoftë, Albini ndodhet në “cajtnot”. Afati kushtetues prej pesëmbëdhjetë ditësh tashmë ka filluar të rrjedhë. Kjo duket se ishte situata në të cilën Mustafa synonte të sillte Kurtin.

A do të bëjë marrëveshjen apo jo? Kush jep më shumë? Cili ambasador do të arrijë të bindë Isën apo Albinin? Për çka?

Rezultati do të tregojë qëllimet e vërteta. Ndërkohë, duhet me e pranu se u kënaqëm. “Formimi i qeverisë” është seriali më i shikuar vendor. Sezoni i tretë…! Publiku kërkon argëtim, e qytetarët qeverinë! Kush do të fitojë?