Publikohet promo zyrtare: Arbana Osmani - prezantuesja e Ferma VIP 3

Arbana Osmani rikthehet në ekran me një kapitull të ri në karrierën e saj televizive.
Moderatorja e njohur shqiptare do të jetë prezantuesja e edicionit të tretë të “Ferma VIP”, një lajm që tashmë është konfirmuar edhe përmes publikimit të promos zyrtare të programit.
Në një video të shkurtër të ndarë në rrjetet sociale, Arbana shfaqet në ambientet karakteristike të fermës, duke dhënë sinjalin për nisjen e aventurës së re televizive.

Promoja ka bërë menjëherë xhiron e rrjetit, duke konfirmuar zyrtarisht se ajo do të drejtojë këtë sezon të ri të reality show-t.
Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin profesional të moderatores, e cila për vite me radhë ishte një nga figurat më të lidhura me programet e mëdha të Top Channel, veçanërisht me formatin “Big Brother”.
Tashmë, me “Ferma VIP 3”, ajo rikthehet në një tjetër format të njohur të reality show-t, duke sjellë një energji të re në ekran.
Edicioni i tretë i “Ferma VIP” pritet të startojë së shpejti dhe, sipas promos së publikuar, do të vijë me shumë surpriza, sfida dhe dinamika të reja për personazhet VIP që do të bëhen pjesë e fermës.
Rikthimi i Arbanës në një format të madh televiziv ka rritur edhe më shumë pritshmëritë e publikut për sezonin e ri. /Telegrafi/






























































