Publikohen fotografitë e guximshme të Sasës që tregojnë plagët e tumorit - vajza e çeliktë e Big Brother VIP Kosova që i mbijetoi sfidave

Në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, Sasa Hoda ka publikuar disa fotografi të realizuara pak para se të hynte në Big Brother VIP Kosova 4, të cilat po marrin vëmendje të madhe në rrjetet sociale.
Në këto imazhe, Sasa shfaqet me një stil elegant dhe të fuqishëm, e veshur me një kostum të zi dhe një reçipë të punuar me dantellë, ndërsa ekspozon për herë të parë publikisht barkun e saj, ku dallohen qartë shenjat kirurgjikale të betejës së saj me tumorin në enët e gjakut – një sëmundje e rrallë me të cilën ajo vazhdon të përballet.
Fotografia që ajo ndau, ku shihet e sigurt dhe e pa lëkundur, është kthyer në një simbol të forcës dhe pranimit. Ajo tregon realitetin e saj pa filtra, duke e bërë plagën – që dikur ishte burim dhimbjeje – në një dëshmi të guximit dhe mbijetesës.
Sasa, e cila sëmundjen e menaxhon me kujdes të rregullt mjekësor, vendosi t’i bëjë publike këto imazhe si një formë solidarizimi me çdo person që përballet me sfida shëndetësore, duke e përdorur platformën e saj për të përhapur fuqizim dhe vetëbesim.
Në mbishkrimin e fotografive, ajo shkruan mes tjerash: “Sot po mësoj të dua veten kështu siç jam dhe bashkë me këtë shpresoj të ngjallë një dritë vetëbesimi e vetëdashurie te secili që në një mënyrë ose tjetër ka përjetuar gjërat që kam përjetuar edhe unë. E juaja, më e vërtetë se asnjëherë tjetër, Sasa”
Publikimi i këtyre fotografive ka prekur shumë ndjekës, ndërsa Sasa vijon të shihet si një prej figurave më të forta dhe inspiruese të këtij edicioni të Big Brother VIP Kosova. /Telegrafi/




























































