PSG bën të papriturën, nënshtron Barcën

Ishte një gjysmë e parë mjaft e bukur loje, e cila përfundoi me epërsi të skuadrës vendase (2-1).
Nuk kaluan shumë minuta në Parc de Princes, kur David Luiz pranoi një top nga Lucas dhe e zhbllokoi rezultatin (10’).
Mirëpo, shumë shkurt zgjati euforia e tifozëve parisienë, pasi Lionel Messi i heshti pas asistimit të Iniestas (12’).
Në vazhdim, kampioni francez e ktheu epërsinë. Thiago Motta harkoi nga këndi, ndërsa Marco Verratti shënoi me kokë (26’).
Në gjysmën e dytë, nikoqirët e rritën më shumë diferencën e golave. Një harkim të ulët të Van der Wiel e konvertoi në gol Blaise Matuidi (54’).
Katalunasit e dramatizuan prapë ndeshjen duke e ngushtuar shumë shpejtë rezultatin. Harkimi i Alves nga e djathta u huq nga koka e Messit, por aty ishte Neymar për të shënuar (56’).
Rastet vazhduan deri në fund, ndërsa ekipi i Laurent Blanc e mbrojti rezultatin.
Në këtë ndeshje, Xavi Hernandez theu një rekord duke u bërë lojtari me më së shumti paraqitje në Ligën e Kampionëve kur u inkuadrua në minutën e 69-të në vend të Ivan Rakitic. Ai tash ka regjistruar 143 paraqitje në garën prestigjioze evropiane.
Takimi tjetër i Grupit F ndërmjet APOEL Nicosia dhe Ajax ka përfunduar me rezultat 1-1.
Paris Saint-Germaini është në krye të Grupit F me katër pikë, Barcelona ka tri pikë, Ajaxi dy, kurse APOEL një pikë. /Telegrafi/



















































