LAJMI I FUNDIT:

Pse vlera R është e rëndësishme në frenimin e coronavirusit?

Pse vlera R është e rëndësishme në frenimin e coronavirusit?

Derisa vendet në mbarë botën përpiqen të dalin nga izolimi, ato po gjurmojnë një të dhënë që njihet si vlera R dhe që tregon se sa shpejt riprodhohet coronavirusi në mesin e popullatës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, anëtari i Task-forcës gjermane kundër pandemisë COVID-19, Tobias Welte, tregon se përse është e rëndësishme që vlera R të mbahet në ose nën 1.


“Shkalla e riprodhimit tregon se sa pacientë të infektuar mund të infektojnë njerëz të tjerë. Nëse shkalla e riprodhimit është një, ajo tregon se një pacient do të infektojë një person tjetër. Nëse shkalla e riprodhimit është tre, një pacient do të infektojë tre persona të tjerë. Ajo që bëjmë ne në Gjermani, është llogaritja e shkallës mesatare të riprodhimit. Analizojmë një javë të tërë dhe pastaj e krahasojmë mesataren e asaj jave, me atë të një jave më herët. Aktualisht, mesatarja e shkallës së riprodhimit në Gjermani është midis 0.7 dhe 0.8, që do të thotë se një person i infektuar infekton më pak se një person tjetër”

Se si krahasohet vlera R e coronavirusit me sëmundjet tjera, Welte theksoi se shkalla më e lartë e riprodhimit te sëmundjet pulmonare, ka të bëjë me influencën, me gripin, dhe ajo është midis 2.3 dhe 3.

“Ka sëmundje që janë edhe më ngjitëse. Për shembull, fruthi. Shkalla e riprodhimit te fruthi është 10 ose më shumë. Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse. Por, secila sëmundje që e ka vlerën e riprodhimit 1 ose nën 1, nuk është më shumë ngjitëse. Me izolim, me ndalimin e ngjarjeve të mëdha, të koncerteve, të ndeshjeve të futbollit, të secilës ngjarje me numër të madh të spektatorëve, kemi arritur të ulim shkallën e riprodhimit [të coronavirusit] nga java në javë. Dhe, kur ajo është nën një, do të thotë se jeni në anën e sigurt”, tha ai.

Por, nëse vlera R është nën 1, a do të thotë se virusi është tërhequr, anëtari i Task-forcës gjermane u shpreh “Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Derisa shohim që numri i të infektuarve po bie, arsyet për këtë mund të jenë disa. E para: ndoshta transmetimi i sëmundjes nuk është më aq i fuqishëm për shkak të distancimit social, maskave dhe masave të tjera të izolimit. E dyta: ndoshta edhe virusi po ndryshon, nuk është më aq ngjitës. Dhe e treta, që është shumë e rëndësishme, mund të jetë ndjeshmëria jonë ndaj virusit. Tani mund të jemi më pak të ndjeshëm. Kjo është diçka që e dimë edhe nga sëmundjet e tjera virale, sidomos nga ato pulmonare. Pra, gjatë verës jemi më pak të ndjeshëm; reagimi i sistemit imunitar është më i mirë se gjatë dimrit”.

Duke folur për luftën ndaj coronavirusit, Welte tha se ndërhyrja më e rëndësishme është distanca sociale, sepse kontakti personal i njërit me tjetrin është faktori kryesor i transmetimit të sëmundjes.

“Ajo që do të bëjmë ne në Gjermani është të ruajmë distancën sociale, pra distancën prej një metër e gjysmë, që rekomandohet nga qeveria. Po ashtu do të vazhdojmë t’i anulojmë ngjarjet e mëdha dhe pastaj do të shohim”.

Se si mund të lehtësohen masat e izolimit dhe të njëjtën kohë, qytetarët të jenë të sigurt, Welte tha se duhet të testohen.

“Duhet të testojmë. Secili me probleme në frymëmarrje duhet të testohet. Testimi është kyç. Duhet të monitorojmë atë që testojmë. Nëse shkalla e infeksionit rritet përsëri dhe rritet ndjeshëm, duhet të ndërmarrim vendime të reja për izolim. Dhe, kjo nuk do të jetë e lehtë, sepse nëse shikoni atë që po ndodh në Gjermani, njerëzit janë shumë të lodhur sa u përket masave të izolimit”

Duke folur rreth situatës në Gjermani, ai tha “Mendoj se në Gjermani kemi bërë punë të mirë. Kemi pasur fat. E kemi parë se çfarë ka ndodhur në Itali dhe në Spanjë dhe jemi përgatitur, i kemi vendosur masat e izolimit herët. Nuk e kemi pasur përhapjen e njëjtë e as shpërthimin e njëjtë në spitale si në vendet e tjera evropiane. Republika Çeke ka bërë të njëjtën gjë dhe ka qenë e suksesshme. Por, tani problemet e humbjes ekonomike dhe të rritjes së papunësisë janë gjithnjë e më dominuese”.

Anëtari i Task-forcës gjermane ka folur edhe rreth mundësisë së valës së dytë të coronavirusit.

“Nuk mendoj se vala e dytë do të ndodhë gjatë verës. Siç ndodh zakonisht me viruset respiratore, për shkak të kushteve të motit, shanset janë më të vogla gjatë verës. Por, me fillimin e vjeshtës – në tetor ose nëntor – vala e dytë është e mundur. Ne nuk do të kemi vaksinë para vitit të ardhshëm, ose edhe një vit pas tij. Dhe nëse vala e dytë vjen, do të kemi probleme. Nëse vala e dytë shoqërohet me sëmundje tjera infektuese – pra coronavirusi dhe influenca – atëherë do të jetë një katastrofë. Andaj, programet e mira të vaksinimit për gjithçka tjetër do të jenë një nga synimet kryesore të politikës shëndetësore në Gjermani”. /Rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin

Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin "Mobile Journalism" në fushën e gazetarisë - në fund shpërblehen më të mirët

Komunat
Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Lajme
U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

Elfije Boletini
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

Kronika e Zezë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Kalo në kategori