LAJMI I FUNDIT:

Pse veriu nuk meriton autonomi!?

Autonomia e veriut, që herë pas here po del në skenën mediatike si një zgjidhje e vërtetë dhe si tentative për të përgatitur publikun, nuk është reale për veriun e Kosovës. Justifikimi i serbëve të veriut, sidomos strukturave paralele serbe konsiston në faktin që po tërheqin trajektore mes pozitës së shqiptarëve ne ish. Jugosllavi dhe serbëve që jetojnë tani në Kosovë, pa ditur se një gjë e tillë nuk ka ngjashmëri sa mendojnë ata dhe në mënyre indirekte një ide e këtillë po konsiderohet si pranim i realitetit të krijuar për njohjen e shtetit të Kosovës.

Autonomia për veriun nuk ka arsye të ndodhë bazuar në këto rrethana.


-Kosova është një shtet demokratik e shumë-etnik i cili nuk ka filozofinë e njëjtë që kishte, dhe që ende e ka Serbia. Rreshtimi i Kosovës në anën e shteteve më demokratike në botë, nuk nxjerr justifikim të shëndoshë për serbët e Kosovës që tu jepet autonomi për veriun. Strukturat paralele që operojnë në Veri të Kosovës, janë organe të financuara nga një shtet me filozofi “moniste” që operojnë në një shtet demokratik dhe bashkëpunues. Çdo lidhje që tentohet të behet në lidhje me strukturat paralele që Kosova kishte gjatë viteve të ‘90-a dhe atyre në veri të Kosovës është absurde dhe e pa menduar mirë. Kosova në atë kohë me strukturat e saja paralele synonte konsolidimin e qeverisjes demokratike në një pushtet kolonial, për dallim me strukturat e tanishme paralele serbe që janë organe kriminale kundër një shteti (pushteti) demokratik. Pushtet i cili me çdo kusht kërkon integrimin e minoriteteve në shtetin e Kosovës dhe diversitetin etnik në Kosovës e konsideron si vlerë dhe kulturë shtetërore.

-Autonomia eventuale e veriut do të nxiste efekt domino në rajon, ndoshta edhe më gjerë duke përfshirë gjitha vendet e Ballkanit. Për një “termet” të tillë ballkanik tani më nuk është i gatshëm askush, as edhe vet Serbinë. Një tentative e tillë do ti rrënonte ambiciet e Integrimeve Europiane dhe do të ishte kthimin në vitet e ’90 –ta.

– Arsye tjetër pse veriu nuk meriton autonominë janë Serbët e jugut të cilët nuk do ta pranonin një plan të tillë që do ta rrezikonte qëndrimin e tyre në trojet e veta, duke nxitur një eksod nga jugu në veri të serbëve duke lënë edhe monumentet e kultit në mëshirën e fatit.

-Autonomia eventuale e veriut do të ofronte më shumë modelin e Kosovës me modelin e qeverisjes së Bosnjë e Hercegovinës, model i cili edhe sot e kësaj dite nuk është duke dhënë rezultate të mira në funksionimin e atij shteti.

-Autonomia eventuale e veriut do ta ushqente edhe më shumë nacionalizmin gjithëshqiptar dhe do të shtonte gjasat që Pakoja Ahtisarit të hidhet poshtë nga Kosova dhe Kosova ti bashkëngjitet Shqipërisë duke bërë realitet krijimin e një shteti më të madh shqiptar, shtet i cili Serbisë do ti bënte rivalitet më të madh sesa një Kosovë e tillë siç është sot.

-Një arsye më shumë pse nuk duhet të flitet për autonomi është dialogu i fundit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Palët janë të fokusuara që si platformë e dialogut të jenë Kushtetutat e tyre. Nga kjo pikëpamje Kosova është me një pozicion më të mirë për shkak të qasjes sajë pro Europiane me një Kushtetutë shumë më demokratike dhe në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare, për dallim nga Kushtetuta serbe që Kosovën e ka ende nën sovranitetin e sajë. Në këtë dialog, Serbia është në një pozitë tepër të pafavorshme. Do të detyrohet të bëjë kompromise për të lënë Kosovën të ecë pa e penguar, variant i cili do të shpëtonte edhe buxhetin edhe ashtu të varfër të Serbisë. Sipas disa të dhënave zyrtare mbi 650.000 Euro në ditë Serbia harxhon për investimet e saja në Kosovë, mjete të cilat më me dinjitet do ti shpenzonin për qytetarët e varfër të Serbisë. Serbia e gjendur pranë një presioni të tillë edhe ekonomik, do të detyrohet që prioritet ta ketë integrimin e vendit në BE për të përfituar nga BE fonde që u dedikohen vendeve të para anëtarësimit.

Rrugëdalja e vetme e Serbisë mbetet që ti afrohet BE-së sa më parë në mënyrë që të përmirësoj mirëqenien e popullit të sajë duke lënë çështjen e Kosovës si interes jo primar.

Projekti i Menaxhimit të Integruar të Kufijve (IBM) që do të jetësohet muajin e ardhshëm (si rezultat i dialogut Prishtinë – Beograd) do të qartësoj shumë mirë pozicionet e palëve dhe Serbia do të tërhiqet nga Kosova duke u shtirur si fitimtare ndaj popullit serb, se gjoja nuk do ta njoh Kosovën si të pavarur (me asnjë çmim) dhe se Serbia është afruar një hap më afër BE-së. Realizimi i marrëveshjeve për normalizimin e raporteve ndërshtetërore i hapë rrugën Kosovës që të vazhdoj me shtrirjen e sovranitetit në veri dhe rritë perspektivën e njohjeve të reja, sidomos të pesë shteteve anëtare të BE-së që janë me rëndësi jetike për shtetin e ri të Kosovës.