Pse të qenit “i ri në zemër” dhe qëllimi në jetë mbrojnë trurin

Një faktor i shpërfillur që ndikon fuqishëm në shëndetin e trurit
Ndjenja e kuptimit të jetës, besimi në vlera të qarta dhe të qenit “i ri në zemër”, pavarësisht moshës, janë disa nga tiparet e personalitetit që mund të na sigurojnë një cilësi më të mirë jete dhe madje të na mbrojnë nga sëmundjet. Një studim i publikuar në revistën American Journal of Geriatric Psychiatry tregon se ndjenja e kuptimit dhe gjetja e një qëllimi në jetë mund të ulë deri në 30 për qind rrezikun e demencës.
Ndjenja e kuptimit dhe demenca
Demenca është një sëmundje gjithnjë e më e shpeshtë në botën moderne. Mjekët shpjegojnë se ajo prek kryesisht personat në moshë të shtyrë. Në të njëjtën kohë, diagnostikimi është përmirësuar ndjeshëm, gjë që krijon përshtypjen se rastet janë më të shumta.
Demenca nuk prek vetëm individin, por edhe gjithë familjen. Personat me simptoma të demencës kanë vështirësi me kujtesën; për shembull, një njeri që për vite me radhë ka përgatitur të njëjtin mëngjes, papritur nuk di më si ta bëjë. Shfaqen probleme me të folurin, ndryshime të humorit, vështirësi në kryerjen e detyrave të përditshme, ndërsa në fazat e avancuara, personi mund të bëhet plotësisht i varur nga ndihma e të tjerëve.
Kur flitet për parandalimin e demencës, theksohet rëndësia e kontrollit të tensionit të gjakut, sheqerit dhe kolesterolit, si edhe nevoja për aktivitet fizik e mendor, shoqërim dhe përfshirje në punë të thjeshta shtëpiake.
Studimi: ndjenja e kuptimit si faktor mbrojtës
Një studim i vitit 2025, i publikuar në American Journal of Geriatric Psychiatry, thekson një faktor tjetër mbrojtës: ndjenjën e kuptimit të jetës. Studimi ka ndjekur më shumë se 13.000 persona mbi moshën 45-vjeçare për një periudhë 15-vjeçare.
U zbulua se personat që raportonin një ndjenjë më të fortë të kuptimit jetësor kishin 28 për qind më pak çrregullime njohëse, përfshirë edhe demencën. Megjithatë, ekspertët theksojnë se bëhet fjalë për një korrelacion, dhe jo për një marrëdhënie të drejtpërdrejtë shkak-pasojë.
- Kauza nuk është vërtetuar dhe as provuar, ka deklaruar dr. Ronda Voskhul, profesoreshë e neurologjisë në University of California, Los Angeles, e cila nuk ka marrë pjesë në studim.
Nuk dihet ende me siguri nëse ndjenja e qëllimit ul rrezikun e demencës, apo nëse personat me më pak simptoma njohëse ndihen më të përmbushur pikërisht për këtë arsye. Megjithatë, ekspertët theksojnë se, pavarësisht kësaj, kuptimi dhe qëllimi mbeten faktorë kyç për ruajtjen e shëndetit kognitiv, transmeton Telegrafi.

Si mund ta ulë ndjenja e kuptimit rrezikun e demencës?
Ndjenja e kuptimit dhe e qëllimit nxit zakone më të shëndetshme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e trurit.
– Ndjenja e qëllimit mund të na motivojë drejt një stili më të shëndetshëm jetese, më shumë aktivitet fizik, gjumë më cilësor dhe kontakte sociale, shpjegon dr. George Henavi, drejtor i departamentit të geriatrisë në MedStar Health, i cili nuk ka qenë pjesë e studimit.
- Këto aktivitete reduktojnë ndjenjën e vetmisë dhe depresionin, rrisin rezistencën ndaj stresit dhe lidhen ngushtë me shëndet më të mirë kognitiv dhe rrezik më të ulët për demencë.
Dr. Voskhul shton se ndjenja e qëllimit inkurajon komunikim më të madh me mjedisin, përfshirje në aktivitete jashtë shtëpisë, kryerje të punëve të përditshme, lexim dhe reflektim.
- Të gjitha këto janë ushtrime të mira mendore që e mbajnë trurin në formë më të mirë, thekson ajo.
Roli i humorit dhe gjendjes shpirtërore
Studime të shumta e mbështesin këtë qasje. Neuroplasticiteti, aftësia e trurit për t’u ndryshuar dhe përshtatur forcohet përmes aktivitetit fizik dhe angazhimit social. Ndonjëherë mjafton të punojmë në kopsht ose të pimë një kafe me një mik të afërt për të ndjerë një kuptim më të fortë jetësor, i cili ndikon pozitivisht në shëndetin e trurit.
Dr. Voskhul thekson gjithashtu rëndësinë e humorit të mirë dhe shpirtit pozitiv. Vetë ndjenja se ajo që bëjmë ka vlerë dhe kuptim e përmirëson gjendjen emocionale dhe stimulon aktivitetin e trurit.
- Ashtu si truri varet nga zemra që e furnizon me gjak të pasur me oksigjen dhe lëndë ushqyese, edhe mendja varet nga gjendja e shpirtit, shpjegon ajo. Substancat kimike në tru ndryshojnë në varësi të humorit, kënaqësisë apo trishtimit.
Si të gjejmë ndjenjën e kuptimit?
Prindërimi, kujdesi për qenie të gjalla, ndjenja e identitetit, angazhimi në shkencë, zanat apo bujqësi, si edhe besimi fetar, të gjitha këto mund të ofrojnë një ndjenjë të fortë kuptimi.
Dr. Voskhul këshillon të jemi të hapur dhe të provojmë gjëra të reja.
- Të jesh “i ri në zemër” do të thotë të jesh kureshtar, të mësosh dhe të eksplorosh, thotë ajo. Këto aktivitete nxisin imagjinatën dhe na ndihmojnë të gjejmë qëllimin.
Dr. Henavi shton se rekomandimet duhet të përshtaten sipas interesave dhe aftësive të individit, për të ruajtur motivimin. Ai sugjeron:
- Ruajtjen e aktivitetit mendor përmes leximit, mësimit, lojërave mendore dhe shahut
- Aktivitetet artistike: pikturë, vizatim, muzikë, këndim
- Ushtrime në grup, zanate, gatim dhe shoqërim
Të gjitha këto aktivitete përmirësojnë shëndetin dhe rrisin nivelin e dopaminës, të ashtuquajturit “hormoni i lumturisë”.
- Përpiqem ta nxis ndjenjën e kuptimit edhe te pacientët me dëmtime të lehta njohëse, shton Henavi, përmes kujtimeve muzikore, filmave, librave nga e kaluara apo krijimit të albumeve me fotografi.
Ekspertët këshillojnë të besojmë në vlerat tona, të zbulojmë pasionet, të mendojmë për aftësi të reja për t’u mësuar ose zhvilluar. Është e rëndësishme të kemi qëllime konkrete, por edhe plane alternative, duke u fokusuar te pikat tona të forta dhe vlerat personale. /Telegrafi/









































