Ish minatori i Trepçës dhe qytetari me uniformë të UÇK-së kërkojnë konstituimin e Kuvendit

Para objektit të Kuvendit të Kosovës, dy qytetarë kanë protestuar duke kërkuar përshpejtimin e procesit të konstituimit të legjislativit dhe formimin e institucioneve shtetërore.
Veterani, Lulzim Prokshi i veshur me uniformë të UÇK-së, mbante pankarta me mbishkrime të qarta politike, ku ndër të tjera thuhej: “Të largohen uzurpatorët për të mundësuar formimin e institucioneve, duke nisur me zgjedhjen e kryetarit të parlamentit e në vazhdim”, si dhe “Pushteti u takon vetëm kosovarëve autoktonë, jo të ardhurve”.
Ai ka thënë para mediave se në shenjë revolte për mos konstituimin e Kuvendit nga sot do të nis edhe grevë urie.
Protestës i është bashkuar edhe Hajrullah Haliti nga Mitrovica, ish-minator i kombinatit “Trepça”, i cili përkujtoi sakrificën e bërë nga punëtorët gjatë viteve të ’80-ta, duke theksuar rëndësinë që Kuvendi të formohet sa më parë.
“Në emër të ish-minatorëve dhe punëtorëve të ‘Trepçës’, më 16 nëntor 1988 morëm vendimin të niseshim në këmbë drejt Prishtinës, për të kërkuar të drejtat tona. Ato na ishin mohuar nga regjimi serb. Sot, nga 1260 minatorë, vetëm 217 jemi ende gjallë. Kam kërkuar të më lejohet ta ndaj këtë mesazh dhe të tregoj të vërtetën për atë për çka kemi luftuar”, u shpreh ai. /Telegrafi/



















































