LAJMI I FUNDIT:

Protestë për shkarkimin e Aleksandër Lumezit (Foto)

Protestë për shkarkimin e Aleksandër Lumezit (Foto)

Qytetarë të shumtë kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të respektohet sovraniteti i Kosovës, të ndërpriten pazaret me shtetësinë e Kosovës, si dhe kanë kërkuar zgjedhje të reja.

Në këtë protestë, që ishte e treta me radhë e organizuar nga shoqëria civile dhe “Protestoj”, përveç kërkesave të lartcekura ishin edhe ato të mëparshmet, që të dorëhiqet kryeprokurori Aleksandër Lumezi, Vetting në gjyqësor dhe pastrim i listave të veteranëve të luftës së UÇK-së.


Analisti Imer Mushkolaj, që ka folur në emër të protestuesve, ka thënë se tashmë dy ditë në Kuvendin e Kosovës po luhet një lojë e ndyrë në mes partive politike.

Ndërkohë që ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk po lejon miratimin e rezolutës që atij ia ndalon, siç ka thënë të bëjë pazare me territorin e Kosovës.

“Siç e keni parë këto dy ditët e fundit po luhet një lojë e absurdit, një lojë e ndyrë në mes partive politike. Hashim Thaçi nuk po lejon që Kuvendi të miratoj rezolutën e cila ia ndalon atij që në Bruksel të bëjë pazare me territorin e Kosovës. Kushtetuta e vendit nuk po respektohet pikërisht nga ai që është paraparë dhe duhet të jetë protektori i saj, pra presidenti i vendit. Ai po e rrezikon shtetësinë e Kosovës duke bërë të diskutueshme qenien e saj politike e juridike. Kuvendi i Kosovës ndërkaq është bllokuar nga përfaqësuesit e pakicës së popullit, nga kryetari i Kuvendit, nga pushteti që edhe ashtu vazhdon siç ka bërë deri tash të marrë vendime vetëm natën – pushteti i natës”, tha ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se presidenti po e bllokon vendimmarrjen në Kuvend duke dashur që në takimin e 7 shtatorit në Bruksel, me homologun e tij serb të krijojë parime për dialogun, e që sipas tij këto parime është dashur të ishin të gatshme nga Kuvendi i Kosovës.

“Presidenti po përpiqet që të bllokojë vendimmarrjen në Kuvend duke dashur që në takimin e radhës në Bruksel me homologun e tij Vuçiq të krijojë parime për dialogun, parime që do të duhej të ishin të gatshme nga Kuvendi i Kosovës. Parime që do të duhej të përbënin platformën për bisedime, parime që do të përcaktonin vijat e kuqe të qarta përtej të cilave nuk duhet të shkohet. Sot ne nuk i kemi asnjërën nga këto, sot ne dimë vetëm atë që përsërit presidenti, që na thotë se ne vetëm do të fitojmë, por asgjë nuk do të humbim. Kjo është rrenë, prandaj, është koha që ne që jemi këtu të bashkohemi dhe të tjerë të bashkohemi në ditët në vazhdim për t’i thënë jo këtyre planeve të cilat po i bënë presidenti. Për t’i thënë jo përpjekjeve të tij për të shndërruar Kosovën në një shtet jo funksional, për t’i thënë jo në fakt ideve të tij që janë shumë të rrezikshme, për t’i thënë jo aventurave të Hashim Thaçit”, tha Mushkolaj.

Analisti Mushkolaj për opozitën ka pasur një kërkesë që të jenë pjesë e protestave për të shpëtuar Kosovën.

“Opozita nuk ka çfarë të kërkojë më në hollët e Kuvendit të Kosovës. Ne formalisht dhe zyrtarisht sot iu kërkojmë partive opozitare, respektivisht anëtarëve të partive opozitare pa marrë parasysh nëse janë pjesë e LDK-së, VV, PSD, Alternativës dhe deputetëve të pavarur që t’i bashkohen thirrjes sonë për protestë dhe të angazhohen për organizimin e protestave të radhës. Me të vetmen kërkesë shpëtimin e shtetit dhe nëse vazhdon kështu me bllokimin e Kuvendit edhe zgjedhje të reja”, është shprehur ai.

Ftesë për të protestuar u është bërë edhe anëtarëve të partive të koalicionit qeverisës, duke thënë se duhet të bëjnë jo korrigjim të kufijve, por ‘korrigjim të politikanëve’.

Në fund të protestës është lexuar edhe një deklaratë e përbashkët nga Agnesa Qerimi prej këshillit të protestës dhe qytetarëve protestues përmes së cilës kërkohej respektimi i sovranitetit të Kosovës.

“Kërkojmë që të respektohet sovraniteti i vendit tonë. Kërkojmë të ndërpriten pazaret me shtetësinë tonë, me ekzistencën tonë. Kërkojmë zgjedhje të reja”, thuhej në deklaratë.

Edhe kësaj here, gjatë protestuesit kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt ndërtesës së Qeverisë, me pankarta “Lumez ik”, “Pishpirik je vet”, “Boll Ma”, “Nuk ka shtet pa gjyqësor të pavarur”, “A vodhën pula 1 milion refugjatë”, e po ashtu edhe fotografinë e Agim Çekut në të cilën shkruante, “Nga Hero në Zero”.

Kjo është protesta e tretë e organizuar nga shoqëria civile dhe “Protestoj”, ndërkohë që një protestë e katërt është thirrur për të mërkurën e ardhshme.