Qindra mijëra qytetarë shqiptarë u mblodhën të premten në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në një protestë në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një ditë pas protestës, ka reaguar Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, transmeton Telegrafi.


Ai ka ngritur pyetjen: "Përse i pengon një kategorie të caktuar kërkesa për drejtësi?"

"Kush mund të ketë frikë nga kërkesa për respektimin e të drejtave të të burgosurve dhe nga thirrja që drejtësia në Gjykatën Speciale të jetë në përputhje me standardet europiane? Përtej dallimeve politike që mund t’i kemi sot, duhet ta kemi të qartë se çdo familje, çdo dëshmor dhe çdo bashkëluftëtar që prej fillimeve të luftës për liri, janë pjesë e të njëjtës rrugë, të njëjtës sakrificë dhe të njëjtit ideal", ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ai ka pohuar se "Nuk mund të pranojmë që ata që ranë për liri të quhen të mirët, e ata që luftuan deri në fund të quhen të këqijtë".

"O jemi të gjithë të mirë, sepse ishim bashkë në luftën për liri, o jemi të gjithë të këqij nëse sot e mohojmë atë luftë. Lufta nuk ka përfunduar në vitin 2020, por në vitin 1999.Rrugëtimet pasluftës qoftë politike, qoftë bashkëpunimet apo ndarjet janë pjesë e realitetit demokratik të pasluftës, por ato nuk mund të përdoren për të rishkruar historinë e luftës", theksoi ai.

Krasniqi shtoi se duhet të bëjmë dallimin mes asaj që ndodhi gjatë luftës dhe asaj që ndodhi pas saj, duke shtuar se "sepse nëse e humbim këtë vijë ndarëse, e humbim vetë kuptimin e lirisë që e fituam me aq gjak e sakrificë".

Ndryshe, me thirrjet “Unë jam UÇK!”, “Lironi çlirimtarët!” dhe të rrethuar nga simbolet kombëtare, pjesëmarrës nga Tirana, Prishtina, Tetova dhe vende tjera, treguan qartë qëndrimin e tyre kundër akuzave që konsiderohen të padrejta ndaj disa prej figurave kryesore të UÇK-së.

Protesta, e cila u zhvillua nën moton “Liria ka emër”, bashkoi shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora, të cilët shprehën përkrahje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. /Telegrafi/