LAJMI I FUNDIT:

Protesta e presidentit

Protesta e presidentit

Në këngët tona nuk këndohet për ndonjë biçikletë. As nuk pyet kush se (ku) me e lidhë atë. Për kali po, këndohet. Tradicionalisht, kali gjithnjë është lidhur aty ku ka thënë padroni. Këndohet edhe për tren, “për me shkue në Perzeren”. Edhe për alltia. Bam-bam në secilën këngë dashurie. Kënga na ka orientua, se qeveri tonën nuk kemi pasur. Edhe bashkësia ndërkombëtare. Prej kohës së ilirëve na ka udhëhequr bashkësia ndërkombëtare. Kaq kemi mësim prej urtisë së popullit.

Te ne me biçikleta nuk udhëton më as populli, e lëre më shefat. Në fakt, ministrja e re e ambientit bëri përjashtim. Një ditë ajo shkoi në punë, me biçikletë, por të nesërmen e pa që nuk ka… shtigje. Pastaj, ku me lidh biçikletën?


Kësaj radhe do të llafosim jo për biçikleta, por për premtimet e pambajtura. Për zyrtarët të cilët dështimin e politikës e paketojnë me një retorikë e cila nuk është përfshirë as në ribotimin e fundit “te Makiavelli”, ndoshta sepse ai nuk e njihte politikën shqiptare. Andej edhe këndej. Në vend të “Princit” , libri do të titullohej “Presidenti” ose “Kryeministri”.

“Shqipëria e ka borxh të pajisë me (dy)shtetësi qytetarët e Kosovës”, këtë e tha njeriu që e lexoi tekstin e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Prej asaj dite, Kosova, e cila nga qytetarët e saj konsiderohet si vend i pavarur dhe çdo katër vite zgjidhet një qeveri prej së cilës pritet që të…! Hajgare, populli më nuk pret asgjë nga politika e vet, e cila së fundmi e pranoi se asgjë nuk bëjmë vet. Jemi në mëshirën e të tjerëve, mu sikur më 1999.

Nejse, gazetat tona shkruajnë, me habi, se kryeministri i një shteti, të pasur, siç është Holanda, lëviz me biçikletë. Pyetja kryesore është: çka vozisin truprojat e tij? Ka? Në fakt ai ka shkuar me biçikletë në pallatin mbretëror, për të njoftuar mbretin se është arritur marrëveshja për formimin e Qeverisë. “I kemi ba numrat”, i ka thanë ai mbretit. E çka ka pasë me i thanë tjetër. Kryeministri e lidh biçikletën në hyrje të pallatit, ku duken dy pjesëtarë të gardës mbretërore dhe me gjasë kamera të shumta të sigurisë.

Për dallim prej tyre, ne kemi popullin e varfër, shtetin edhe më të varfër, por udhëheqësit i kemi të pasur. Shteti bën çka bën dhe i nxjerr tatimet diqysh, qysh të mundet e qysh di, e nuk i lë zyrtarët e vet të ecin me biçikleta apo këmbë. As truprojat, këshilltarët, administratën, miqtë e shokët…! Beni ecën vetëm, por këta jo. Do të ishte turp.

Nejse, pas zgjedhjeve tash kemi zyrtarë të ri. Kryeministri jonë i ri nuk ka shkuar me biçikletë te mbreti i Kosovës, për ta njoftuar se “jon bo numrat” diqysh dhe se është arritur marrëveshja për formimin e qeverisë. Me e njoftua se edhe Bexhi edhe “Lista” jon rahatu.

Por, natyrisht, “ai” nuk është ende mbret. Veç edhe kjo i ka mbet, edhe të shajë pastaj qysh të dojë, miqtë ndërkombëtarë të cilët nuk ia (pas)kanë mbajtur premtimet. Miqtë po thonë se premtime (jo)publike nuk ka pasur. Rren bashkësia ndërkombëtare. Ky i yni nuk rren.

“Mbreti” jonë njihet si bashkëpunues, sepse ishte prezent në të gjitha fotografimet dhe shtrëngimet e rëndësishme të duarve që nga Rambuje e deri më sot. Ishte zëdhënës i denj i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Sidomos, ishte i angazhuar që qytetarët e Kosovës të kenë viza dhe të shkojnë kah të duan, pasi këtu, në dy mandate qeverisëse, qysh e dini, ka siguruar mjaftë punë dhe standard të lartë. Çdo premtim pak a shumë e kishte lidhur me liberalizim dhe integrime. Por, zyrtarët evropianë, me biçikleta, qysh po duket e kanë rrejt.

Edhe ky boll ka hesht. Këto ditë ua përplasi në fytyrë. Madje, i sfidoi keq, duke kërkuar nga koka tjetër e shqiponjës të na pajisë me dyshtetësi. Të gjithë qytetarët e Kosovës. Nuk mendon veç për vete, presidenti. E ka borxh Shqipëria, tha presidenti.

Nejse, “Mbreti” ynë nuk udhëton me biçikletë. As imagjinatën nuk e përdor shumë. Mbase duhej të mësonte nga “Terminatori”. Duhej të fotografohej i shtrirë teksa flinte te këmbët e statujës së vet. Ani çka se nuk ka statujë të vet.

Aktori i famshëm Shvarceneger, për shembull, ka realizuar një fotografi ku ai po flinte i shtrirë te këmbët e statujës së vet, përpara një hoteli të famshëm të cilin dikur ai e kishte inauguruar, në kohën kur ishte guvernator i Kalifornisë. Menduan se ky ishte një angazhim i aktorit për të pastrehët, por në fakt ajo ishte një protestë. Ishte një hakmarrje ndaj pronarëve të një hoteli të cilët dikur i kishin premtuar atij dashuri të përjetshme, i kishin premtuar se në hotelin e tyre gjithnjë do të kishin një dhomë bosh për të.

Por, nuk i kishin mbajtur fjalët. Kështu, aktori i famshëm bëri atë që di të bëjë, pra të aktrojë. Këtë mund të bënte edhe mbreti ynë. E vetmja gjë e cila e pengon presidentin të protestojë ashtu është se askush ende nuk ia ngriti një statujë ku ai do të mund të shtrihej dhe të bënte një fotografi për ta postuar pastaj në profilin e vet në “Facebook”. Kuptohet, në fund të postimit krejt kjo të përcillej me nënshkrimin e tij karakteristik.

A nuk ishte një kohë kur ai i priste të gjithë shiritat e mundshëm, në këtë vend, përfshirë edhe atë të pavarësisë? Ishte një kohë kur ndërkombëtarët i premtonin gjithçka dhe ai na premtonte neve edhe retë e bardha mbi qiellin e kaltër të Obiliqit.

Por, kush beson sot në premtime. Nënshkrimet nuk janë si premtimet. Mundesh me premtu pa mendu, por nuk mundesh me nënshkrua pa mendu. Kur nënshkruan, je duke pasur një tufë këshilltarësh pas,

Tash, s’ka mbet shumë se çfarë të bëjë, përpos protestës presidenciale. Kundër bashkësisë ndërkombëtare dhe kundër popullit. Mundet me porositë një statujë? Jo, po një monument në stil të “Newborn”-it , i cili për dallim prej të parit do të ketë vetëm dy shkronja në madhësinë e (mbi)njeriut. Ato mund të jenë inicialet e presidentit, të njohura tashmë në lagjen tonë lokale të “Facebook”-ut. Ai pastaj mund të shtrihet dhe të flejë aty, në shenjë proteste. Derisa t’i mbajnë premtimet. Eh…