Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka kryer të hënën një urdhër kontrolli në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në banesën e Kryeshefit Ekzekutiv të kompanisë, Hasan Krasniqi.

Hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike realizuan kontrollin në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Speciale, për dyshime të lidhura me veprime penale të supozuara, përcjell Telegrafi.


Gjatë operacionit janë sekuestruar dokumente dhe prova materiale që do të shërbejnë si dëshmi relevante për rastin.

Hetimet janë duke u kryer për dyshime mbi kryerjen e veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, falsifikimi i dokumentit zyrtar, shmangie nga pagesa e tarifave doganore ose akcizore, konflikt interesi, si dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. /Telegrafi/