Një incident i rëndë është raportuar të hënën në një çerdhe në komunën e Lipjanit, ku një fëmijë njëvjeçare ka pësuar lëndime trupore.

Sipas dyshimeve të para, lëndimet janë shkaktuar si pasojë e një rrëzimi të ndodhur gjatë kohës që fëmija ishte nën kujdesin e edukatores së institucionit parashkollor.


Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se edukatorja e dyshuar është ndaluar për 48 orë, me urdhër të prokurorit të shtetit.

"Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar një person dyzet e tetë (48) orësh për shkak të veprës penale ''Lëndim i lehtë trupor'' bazuar në nenin 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktualisht, rasti është në trajtim dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me çështjen në fjalë", thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore.

Për dhunën e ushtruar ndaj fëmijës, një reagim në rrjetet sociale e kishte bërë edhe daja i saj./Telegrafi/