Prokuroria jep detaje për vrasjen në Ferizaj, ndalohen babai dhe e bija


Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar opinionin se më datën 28 qershor 2026, rreth orës 22:50, në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj, është pranuar informata se një person është gjetur pa shenja jete.
Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe nga aty në bashkëpunim të plotë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe me njësitë tjera relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj çështje penale.
“Lidhur me ketë rast, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar e dyshuara në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Vrasja’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është ndaluar edhe babai i saj (M.B)., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Trupi i pajetë i viktimës F.H., është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë.
Aktualisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj është duke punuar për të sqaruar tutje të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështje penale. /Telegrafi/


































