Ky projekt si dhe shumë projekte e qëndrime të ngjashme të garniturave qeveritare të Maqedonisë nga pavarësimi i shtetit dhe deri në ditët e sotme, vjen për shkak të një rivalitetit dhe luftës në mesin e vet bashkësisë etnike maqedonase, duke garuar se cila nga ato do të arrijë të minimizojë rolin dhe rëndësinë e bashkësisë etnike shqiptare dhe të tjera që jetojnë në këtë vend, të minimizojnë karakterin multietnik, multikonfesional e multikulturor të vendit të përkufizuar me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit. Këtë para maqedonasve e arsyetojnë me preteks se të njëjtat forcojnë shtetësinë, identitetin nacional dhe me të pronësinë e shtetit të Maqedonisë si pronë dhe e drejtë e patjetërsueshme dhe ekskluzive e popullit maqedonas si bashkësi etnike dominuese në Republikën e Maqedonisë.

Duke pasur parasysh këtë mënyrë të të vepruarit të elitave politike të maqedonasve dhe duke e shfrytëzuar këtë për nevoja të politikave ditore, projektet si ky janë edhe rezultat i luftës në mes dy tezave për përcaktimin e origjinës dhe vjetërsisë së popullëzimit të këtyre trojeve nga maqedonasit. Tezat e origjinës si popull sllav të cilët në Ballkan kanë ardhur në shekullin e gjashtë të erës sonë dhe tezat e origjinës antike ku populli maqedonas lidhet me emrin gjeografik të territorit të quajtur Maqedoni dhe shtetin e Maqedonisë antike të Filipit dhe birit të tij Aleksandërit ose Leka i Madh.


Historiografia maqedonase dhe në përgjithësi ajo sllave, që për momentin dominon edhe në Maqedoni, maqedonasit i konsideron si popull sllav të vendosur në këto troje diku në fillim të shekullit pesë (V) të erës sonë, kurse një pjesë e historianëve në Maqedoni mbrojnë tezën se maqedonasit janë popull antik dhe territoret e Maqedonisë së sotme dhe më gjerë janë territore të tyre dhe shtetit antik të tyre.

Kjo luftë në politikën e Maqedonisë ka reprezentët e vet në të dy taborët politike. Taborin e parë e përbëjnë LSDM-ja dhe partitë tjera politike rreth sajë, që përparësi në meritat për bërjen e shtetit të pavarur të Maqedonisë i japin angazhimit dhe pozicionimit të popullit të Maqedonisë në bllokun antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe aktorëve-heronjve të socializmit. Taborin e dytë e përbëjnë një pjesë e madhe e VMRO-DPMNE-së dhe disa partive tjera derivate të saj dhe një mendjemadhësie maqedonase që karakterizohet me doktrina nacional-romantike për Maqedoni të madhe dhe trashëgimtare e hapësirës dhe kulturës së Maqedonisë antike.

Grupi i parë ka në disponim faktet e gjuhës, shkrimit, kishës dhe lidhshmërinë shpirtërore e kulturore me popujt tjerë sllav, pa ndonjë shkëputje të madhe kohore, kurse grupi i dytë arsyetohet se luftërat dhe sundimi i Maqedonisë nga perandoritë e mëdha dhe të ashpra kanë zhdukur dhe uzurpuar faktet e organizimit shoqërorë, politik, administrativ dhe kulturorë të maqedonasve si popull dhe shtet antik.

Ky grup i ballafaquar me shumicën e grupit të parë mbi qasjet historiografike rreth origjinës së maqedonasve dhe kontinuitetit historik të shtetit, me qëndrimin mohues të shtetit grek lidhur me emrin e shtetit dhe identitetit kombëtar, mohimet e kishës nga fqinji verior, mohimet e gjuhës nga qarqe të larta shkencore të Bullgarisë dhe me problemet në raport me pjesën e popullit shqiptarë që jeton në trojet e veta etnike në Maqedoni është vërë në pozicionin e inferioritetit dhe frikës për një zhbërje të shtetit dhe kombit.

Si rrjedhojë e ndodhjes në një pozicion të këtillë inferioriteti, presionit të faktorit ndërkombëtarë për gjetjen e një kompromisi me Greqinë, dëshirës së popullit (shumicës) për të qenë pjesë e sistemit mbrojtës, ekonomik dhe politik të aleancave euro-atlantike dhe në pamundësi që të bishtnojë nga këto përcaktime strategjike afatgjate, element të ndryshëm në grupin e dytë dhe një numër i vogël nga grupi i parë, vënë në disponim mjete të mëdha nga buxheti i shtetit dhe i komunave që përmes projekteve të karakterit historiko-kulturor e politik, të plotësojnë zbrazëtirën e fakteve për të mbrojtur tezën e Maqedonisë antike.

Duke vepruar me dha pa ndonjë koordinim të mjaftuar mes dy grupimeve, duke menduar se së paku do të shpëtojnë të ruajnë pacënushmerinë e identitet kombëtar, dhe duke e shfrytëzuar të njëjtën për interesa të politikës ditore, ata herë pas here përplasen me realitetin e tanishëm të Maqedonisë, Kushtetutën dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit si kompromis i dy popujve më të mëdhenj të Maqedonisë. Ata harrojnë se me veprime të shpejtuara vënë në pikëpyetje ardhmërinë e shtetit, regjionit dhe tendencave globale për zhvillim dhe siguri në botë.

Një nga këto veprime është edhe projekti i quajtur “Shkupi 2014”, i nxitur, porositur dhe financuar nga qeveria aktuale por me para nga taksapagues të të gjitha bashkësive etnike e fetare. Duhet potencuar se fajin për një situatë të këtillë e kanë edhe reprezentët politikë shqiptarë dhe të tjerët që përpos në kohën e inkuizicionit komunist ashtu edhe në demokracinë gati njëzetvjeçare të Maqedonisë lejuan të jenë në pozitën e të nënshtruarve, të përbuzurve, pa ndikim në sistemin e shtetit dhe pse jo edhe në pozita të përsekutuarve.

Projekt në kundërshtim me parimin e aspektit regjional të zhvillimit

“Shkupi 2014” paraqet projekt në kundërshtim me përcaktimet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë nenet 55, 56 dhe neni 57 i saj ku thuhet se: “Republika nxitë përparimin ekonomik dhe kujdeset për zhvillimin më të harmonizuar hapësinor dhe regjional, si dhe për zhvillim më të shpejtë të rajoneve ekonomikisht jo mjaft të zhvilluar,, pra me parimin e aspektit të zhvillimit regjional të Republikës së Maqedonisë dhe parimeve të BE-së për zhvillim të balancuar regjional në Evropë e më gjerë.

Traktati i Unionit Evropian nenet 2 dhe 3 përcaktojnë se një nga obligimet e tij është të promovojë zhvillim ekonomik harmonik, të balancuar dhe të qëndrueshëm në gjithë territorin e komunitetit, nivel të lartë të punësimit dhe mbrojtjes sociale, rritje të standardit dhe kualitetit të jetesës dhe kohezion ekonomik e social mes regjioneve.

Maqedonia me koncentrimin e administratës së vendit në qytetin e Shkupit, me vetë faktin që akoma punëdhënës më i madh në vend është administrata e shtetit, mbi 120.000 të punësuar nga të cilët 80.000 me vende pune në Shkup, me 350.000 të papunë dhe me të ardhura të ulëta për kokë banori, rrezikon të zbraz regjione të tëra nga popullata dhe ekonomia e tyre. Projekti për të cilin duhet të investohen mbi 200 milion euro (sipas parallogarive tona ai projekt kërkon shumën prej minimum 400 milion euro), në këto rrethana paraqet luks të panevojshëm për 4 vjetët e ardhshme, dëmton buxhetin e shtetit dhe ngadalëson trendin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Projekt në kundërshtim me historinë, realitetin dhe tendencat e së ardhmes së qytetit të Shkupit

“Shkupi 2014” paraqet projekt në kundërshtim me karakterin historik të qytetit të Shkupit, për arsye se, asnjëherë bile edhe në antikën e hershme Shkupi nuk ka pasur statusin e qytetit-shtet. Shkupi dhe qytetarët e tij kur në histori nuk kanë fituar beteja triumfale që të kenë portë për hyrjen e triumfuesve apo fitimtarëve maqedonas. Statusin më të lartë si qendër administrative, ekonomike, kulturore e gjyqësore deri në luftën e dytë botërore e ka pasur si kryeqendra e Vilajetit të Kosovës.

Në kohën e Juzna Srbija më tepër rëndësi kishte fshati Varosh i Prilepit dhe Manastiri se sa Shkupi. Në kohën e realizimit të këtyre projekteve pra në ditën e sodit kryeqyteti i Maqedonisë është i rrethuar nga fshatra shqiptare me përjashtim të dy-tre lokaliteteve boshnjake e maqedonase. Statistikat tregojnë se deri në regjistrimet e RSFJ-së asnjëherë në Shkup maqedonasit nuk ka qenë shumicë e popullatës. Maqedonasit si etni dominojnë bile pas tërmetit të vitit 1963 si pasojë e investimeve nga donacionet për rindërtimin dhe sanimin e pasojave të tërmetit.

Nga historiografia dhe të dhënat statistikore shqiptare rezulton si qyteti më i madh i banuar me shqiptarë deri në vitin 1971. Shkupi edhe sot paraqet një shoqëri multietnike, multikonfesinale dhe multikulturore. Në shkup edhe sot e kësaj dite kemi intelektual, biznesmen, esnaf, zejtarë dhe qytetarë të rëndomtë që komunikojnë në mes veti në maqedonisht, shqip, turqisht, vllahisht dhe në gjuhet rome e boshnjake.

Me kushtetutën e Maqedonisë neni 114 ligji për qytetin e Shkupit sillet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm me ç`rast duhet të sigurohen edhe shumica e votave të deputetëve të pranishëm të cilët nuk u takojnë komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë, neni 117 ku qyteti i Shkupit është njësi e veçantë e vet-administrimit lokal organizimi i të cilës rregullohet me ligj.

Nëse objektet e projektuara sipas këtij projekti, paraqesin objekte për nevojat e administratës së shtetit si nevojë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë atëherë shtrohen pyetjet: a paraqet edhe kisha ortodokse objekt për nevojat e të gjithë qytetarëve? Cilat nga ato objekte pasqyrojnë traditën, kulturën, trashëgiminë, historinë, besimin fetar dhe shumë vlera dhe veçori të tjera të bashkësisë etnike shqiptare dhe bashkësive tjera etnike?

Si do të ndiheshit ju të ishit në pozitën e tyre? A mendoni se krijohet, importohet apo blihet në treg identiteti kombëtar?

Projekt po por jo “Shkupi 2014”, por “Shkupi 21”

Si mundësi për dalje nga situata e krijuar pas publikimit të këtij projekti, me qëllim të qetësimit të shpirtrave të trazuar, zbutjen e marrëdhënieve të acaruara ndëretnike e ndërfetare, eliminimin e rrezikut për prishjen e paqes e rendit kushtetues, kursimit të mjeteve në këto vite krize dhe me dëshirë që qeveria të tregohet e aftë për plane më afatgjate e të qëndrueshme për çdo kohë, projekti “Shkupi 2014”, të zëvendësohet me një projekt që do të quhej simbolikisht “SHKUPI 21”, që do të thotë Shkupi i shekullit XXI.

Ky projekt i ri të paraqes një qendër jo vetëm të kryeqytetit të Maqedonisë por edhe qendrën e gërshetimeve të pasurive shkencore, humanitare, kulturore, historike, fetare dhe arkitektonike të bashkësive etnike të Maqedonisë. Të pasqyrojë realitetin multietnik, multikonfesional, multikulturor dhe evropian të qytetit të Shkupit dhe Republikës së Maqedonisë.

Ky projekt duhet të parashikojë ndërtimin e objekteve me rëndësi kulturore, fetare e historike, të zmadhoj hapësirat e gjelbra dhe oazat ekologjike, kurse të çlirojë Shkupin dhe qendrën e qytetit nga objektet seli të ministrive dhe institucioneve të ndryshme të administratës shtetërore.

Qeveria të përpilojë dhe të financojë një projekt që do të bënte disperzimin-shpërndarjen e ministrive, drejtorive dhe institucioneve të ndryshme të interesit publik nëpër qytetet e Maqedonisë konform karakteristikave zhvillimore dhe nevojave të rajoneve të caktuara në vend. Për shembull Ministria e Punëve të Jashtme në Ohër, e Punëve të Brendshme në Shkup, e Ekologjisë në Veles, e Arsimit në Tetovë, e Bujqësisë në Manastir, e Drejtësisë në Gostivarë, Transporti dhe Lidhjet në Kumanovë, Shëndetësia në Strugë, Ekonomia në Shtip e me radhë.

Është nevojë e domosdoshme qe edhe reprezentët politik shqiptarë, pse jo edhe të bashkësive tjera etnike, të largohen nga pozitat e polarizimit mes tyre, të ofrohen mes veti, të integrohen denjësisht (cilësi dhe profesionalizim) në institucionet e shtetit që, duke mbrojtur, kultivuar dhe financuar në mënyrë institucionale me ndarje reale dhe të balancuar të buxhetit të përbashkët të shtetit, të kontribuojnë në eliminimin e dukurive si projekti në fjalë. Kuptohet këtë mund ta arrijnë vetëm ata që nuk janë në pozitën e bariut me dhentë e tij, ujkun dhe fshatarët. Ata që dinë të çmojnë, të respektojnë dhe të shpërblejnë forcat e reja morale, intelektuale, shkencore, profesionale, patriotike, ekonomike dhe humanitare në shoqëri.

Mbi të gjitha ju mbetet elitave shkencore, politike, kulturore e ekonomike të bashkësisë etnike maqedonase që të reflektojnë sa më parë, të mos mbeten gjenerues të krizave, të orientohen drejt ardhmërisë evropiane të vendit, në të kundërtën ata do të jenë shkaktarë të dështimit, dhe humbësit më të mëdhenj të shekullit.