LAJMI I FUNDIT:

Projekt-kodi civil i pakalueshëm në Kuvend me përmbajtjen aktuale

Projekt-kodi civil i pakalueshëm në Kuvend me përmbajtjen aktuale
Foto: Arkiv

Me përmbajtjen aktuale, projektligji për kodin civil po konsiderohet se vështirë do t’i marrë votat e nevojshme në Kuvend për miratim. Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se projekt-kodin e kanë synim që ta kalojnë këtë vit në Kuvend.

Në një të ardhme jo shumë të largët, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të përballen sërish me një temë të vjetër.


Projekt-kodi Civil do t’u dërgohet atyre përsëri për votim.

“Miratimi unë besoj që duhet të jetë brenda kësaj legjislature. Mendoj që sado që mund ta shtyjmë për legjislaturën tjetër, do të ballafaqohemi me të njëjtat diskutime, me të njëjtat trajtime, vetëm varet se si do të jetë kompozicioni i deputetëve në Kuvend. Prandaj, nuk është që ne po i ikim përgjegjësisë, ose që do të duhej t’i iknim përgjegjësisë duke ia lënë dikujt tjetër”, tha për TV Dukagjinin Mimoza Kusari-Lila.

Megjithatë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, thekson se pozicionet e deputetëve kundërshtues nuk kanë ndryshuar.

Prandaj, ajo kërkon ndihmën e opozitës.

Ligji për fertilizimin e asistuar mollë sherri për ligjvënësit e shumicës parlamentare
Lexo po ashtu Ligji për fertilizimin e asistuar mollë sherri për ligjvënësit e shumicës parlamentare

“Është një projektligj i rëndësisë së veçantë i cili kalon përtej vijave ndarëse politike në raport me pushtetin dhe opozitën,” shtoi Lila.

Mungesë optimizmi në lidhje me kalimin e këtij projekt-kodit civil, ka edhe në shoqërinë civile.

“Edhe nëse draft-kodi civil në përmbajtjen aktuale shkon në Kuvend, ne nuk jemi optimist, nuk besojmë që do të kaloj, për shkak që brenda Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo edhe brenda grupeve të tjera parlamentare, ka një rezistencë të madhe të mos kaluar ky kod-civil”, u shpreh Marigona Shabiu.

Haxhiu: Kodi Civil kalon këtë vit
Lexo po ashtu Haxhiu: Kodi Civil kalon këtë vit

Marigona Shabiu nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, thotë se nuk janë të kënaqur as me përmbajtjen aktuale të Kodit Civil.

“Përmbajtja e draft-kodit aktual nuk e rregullon çështjen e të drejtës së martesës ashtu siç përcaktohet me Kushtetutë, kështu që edhe në rast se do të kaloj në versionin aktual, ne prapë jemi të përkushtuar dhe të vendosur që ta dërgojmë të njëjtin kod civil në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi Shabiu.

Mos miratimi i këtij dokumenti të rëndësishëm konsiderohet se mund t’i shkaktojë probleme Kosovës në synimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.