Prizreni fillon ciklin e takimeve për buxhetimin me pjesëmarrje, qytetarët vendosin për projektet e vitit 2026

Komuna e Prizrenit ka filluar takimet publike për buxhetimin me pjesëmarrje, me qëllim të financimit të projekteve më prioritare për komunitetin.
Në takimet e para me banorët e fshatit Malësi e Re, lagjes “Bylbyldere” dhe lagjes “Ralin” janë mbledhur propozimet e caktuara, të cilat gjatë javës së ardhshme do të votohen nga komuniteti. Projekti që merr më së shumti vota në lokalitetin përkatës, automatikisht futet në planifikimin buxhetor për vitin 2026. Takime të tilla do të realizohen edhe në katër lokalitete të tjera brenda kësaj jave.
Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi ka theksuar se ngjashëm sikurse në dy vitet paraprake, edhe këtë vit ka filluar cikli i takimeve në kuadër të nismës “Paratë tona, idetë tona, Prizreni ynë”.
“Kemi filluar fillimisht me fshatin Malësi e Re, pastaj me lagjen Bylbyldere dhe kemi përfunduar sonte me lagjen Ralin, me qëllim që të marrim sa më shumë inpute, propozime dhe rekomandime për projektet që lagjet përkatëse kanë nevojë. Është një model i ri që po e ndjek komuna e Prizrenit për tre vite radhazi, me qëllimin ma të mirë që sa më shumë qytetarët e Prizrenit me i bë pjesë të vendimmarrjes dhe ata me propozu vetë për projektet dhe nevojat që kanë nëpër lagjet e tyre”, ka thënë Gashi, raporton Telegrafi.
Sipas tij kjo nismë është rezultat i bashkëpunimit të mëhershëm me USAID-in, dhe se tani po vazhdohet nga Komuna si praktikë e mirë për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
“Besoj që është një prej modeleve më të mira që po e praktikojmë ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit tonë të ngushtë me USAID-in në dy vitet e mëhershme. Ndërkohë, po e vazhdojmë si praktikë të mirë, e kemi rritur numrin e tubimeve nëpër lokalitete nga pesë në shtatë, edhe vlerën monetare në njëqind mijë euro, domethënë projektet deri në njëqind mijë euro, sepse viteve të kaluara kanë qenë edhe projekte me pesëdhjetë mijë euro. Kështu që dalë ngadalë po kalojmë në një fazë të re, ku buxheti i Komunës së Prizrenit kryesisht hartohet me propozimet që vijnë nga takimet me qytetarët”, është shprehur Gashi.
Ai ka pohuar se këta takime dallojnë nga dëgjimet buxhetore me qytetarët që zakonisht mbahen në muajin gusht.
“Ne e kemi edhe fazën tjetër, ligjore që e kemi në kuadër të muajit gusht, ku i pyesim qytetarët, diskutojmë me ta për projektet, për nevojat, për telashet, për kërkesat që kanë ata. Por kjo është e veçantë për faktin se projekti i cili propozohet nga banorët domethënë me vota, ai propozim që merr më së shumti vota bëhet me automatizëm pjesë e projekteve për vitin 2026. Pra, ata vetë e propozojnë dhe vetë e përzgjedhin projektin, të cilin ata mendojnë se është më i miri për lagjen e vet”, ka deklaruar zyrtari i lartë komunal, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë ka nënvizuar se nevojitet angazhim shtesë që numri i qytetarëve në këto takime të jetë edhe më i madh.
“Sigurisht që do duhet të punojmë pak më shumë në kuptimin e tërheqjes së banorëve, qytetarëve të lagjet në këto takime dhe kështu të kthehet fuqishëm besimi tek institucionet përmes këtyre diskutimeve, përmes debateve, sepse në momentin kur propozimet e tyre po fillojnë të jetësohen me automatizëm po kemi në ato lokalitete edhe rritje të numrit të banorëve, të cilët po janë të interesuar për projektin”, ka thënë Gashi.
Në fshatin Malësi e Re, banorët e pranishëm në takim kanë propozuar ndërtimin e murrit rrethues në varrezat në Boka, si dhe një terren sportiv në shkollë ose në Boka.
Në lagjen “Bylbyldere” banorët e pranishëm në takim kanë propozuar ndërtimin e një qendre rekreative sportive ose rinovimin e shkollës “Mustafa Bakiu”.
Në lagjen “Ralin” banorët e pranishëm në takim kanë propozuar disa projekte: rinovimin e parkut te Marashi; vendosjen e pusetave në rrugët në Kurillë, vendosjen e sinjalistikës rrugore tek trekëndëshi, ose krijimin e kabinetit kibernetik në shkollë, raporton Telegrafi.
Në secilin lokalitet gjatë javës së ardhshme do të organizohen takimet e dyta, ku banorët e pranishëm me votën e tyre do të përcaktojnë projektin me prioritar për financim me buxhetin komunal të vitit 2026. /Telegrafi/





















































