LAJMI I FUNDIT:

Prizren, shtyhet deri me 13 maj afati i punimeve në rrugën “ Remzi Ademaj”

Prizren, shtyhet deri me 13 maj afati i punimeve në rrugën “ Remzi Ademaj”

Edhe pse zyrtarë të drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren, me datën 24. mars kishin paralajmëruar se punimet në rregullimin e kolektorit të ujërave të zeza në qendër të Prizrenit në rrugën “ Remzi Ademaj” do të përfundonin me 25 prill, ndërsa, qarkullimi i automjeteve do të fillonte me datën 29 prill, një gjë e tillë nuk po del sipas parashikimeve.

Ky projekt i rëndësishëm që financohet nga KFW-ja gjermane dhe kap një shumë mbi 20 milionë euro përfshirë edhe impiantin e ujërave të zeza në Vlashnje, po has në vështirësi gjatë vendosjes së gypave të kolektorit, dhe së fundi sipas mbikëqyrësve të projekti t, gjatë punimeve në rrugën “ Remzi Ademaj” është hasur në disa probleme të paparashikueshme, të cilat sipas tyre kanë rezultuar me vonesën e paraparë të dinamikes së punimeve nga objekti i administratës komunale deri tek hotel “ Theranda”.


Për shkak të këtyre problemeve, mbikëqyrësit e projektit përfshirë edhe KRU “ Hidroregjioni Jugor” kanë bërë kërkesë në organet kompetente komunale që afati i realizimit të këtij projekti të shtyhet deri me datën 13. maj, kërkesë kjo që është miratuar nga kompetentët e komunës.

Sipas prononcimeve të mëhershme të zyrtarëve më të lartë të drejtorisë së Shërbimeve Publike , kishin njoftuar se pas përfundimit të punimeve të kësaj faze nga objekti i administratës deri tek hotel “Theranda” në fund të muajit prill, menjëherë do të nisej me fazën tjetër të punimeve nga hotel “Residence” deri te objekti i komunës, ndërsa gjithçka do të përmbyllej me realizim ose jo të fazës së dytë në rrugën “ Remzi Ademaj” deri me datën 1 qershor, ku nga kjo datë deri në fund të muajit shtator do të ndërpriteshin të gjitha punimet nëpër rrugët e qytetit të Prizrenit, për shkak të ardhjes së bashkëatdhetarëve dhe fluksit të madh të vizitorëve gjatë verës, për të i’u shmangur vështirësive që mund të krijoheshin në qarkullimin e automjeteve.

Por, duke e pasur parasysh vonesën e përfundimit të fazës së parë të punimeve në këtë rrugë, tashmë është vënë në pikëpyetje fillimi i fazës së dytë të punimeve , sepse është shumë pak e besueshme për të mos thënë e pamundshme, që punimet të kryhen deri me datën 01 qershor.

Si pasojë e vonesave në realizimin e këtij projekti më së shumti ka ankesa nga bizneset përgjatë rrugës ku janë duke u zhvilluar punimet, por pronarët e tyre nuk dëshirojnë që të paraqesin publikisht shqetësimet e tyre para kamerave. Se si do të rrjedhin zhvillimet në këtë projekt, ne do të ju informojmë me kohë.