Privatizimi që s’duhet të ndodhë
Ka disa muaj tashmë që Qeveria e Republikës së Kosovës ka paralajmëruar shitjen ose privatizimin e ndërmarrjeve më të forta publike në vend Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Korporatës Energjetike të Kosovës, dhe Postë-Telekomit të Kosovës.
Këto kompani janë bartëset kryesore të ekonomisë në vendin tonë dhe me përjashtim të KEK-ut të sëmurë shumë rëndë, dy tjerat po bëjnë zhvillim shumë të ndjeshëm ekonomik. Ato kanë arritur përparime të konsiderueshme në rehabilitimin dhe konsolidimin e ambientit të vet të punës, si dhe kanë ndikuar që sadopak të përmirësohet rritja ekonomike aq e nevojshme në vendin tonë.
Por ti hedhësh në proces privatizimi mu tani kur bota po përballet me krizën globale financiare e cila ka shkërmoqur tërësisht fuqinë dhe besimin e investitorëve, është një gabim trashanik dhe i pa studiuar aq sa duhet.
Të marrim shembull vetëm dy faktorë. Në fillim të muajit korrik Kalifornia shteti me numrin më të madhin të banorëve në SHBA dhe njësia federale me ekonominë më të zhvilluar, që siç thuhet nga ekonomistet po të ishte shtet në vete do të ishte ekonomia e shtatë në botë, deklaroi bankrotimin. Kjo gjë do të manifestohet me shkurtime drastike në kapitalin social të këtij shteti me shkollat, policinë, spitalet dhe institucionet kulturore më së shumti të goditura.
Po ashtu me dy korrik Parlamenti britanik me mbi dy të tretat e votave hodhi poshtë propozimin e Qeverisë që të shitet krejtësisht Posta Britanike që ka gati tre dekada që është shoqëri aksionare, dhe ku shteti britanik investon aksione.
Duke pasur parasysh këto dy fakte shumë të rëndësishme, dhe duke mos harruar fare nga mendja krizën globale, privatizimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Korporatës Energjetike të Kosovës, dhe Postë-Telekomit të Kosovës, duhet të ndalet një herë e çast!
Zakonisht privatizimet bëhen me qëllim që të ketë përfitime ekonomike për vendin dhe ekonominë e atij vendi, ku ai subjekt gjendet, në këtë rast përfitimet ekonomike janë të destinuara për zhgënjim sepse ato mund të shiten disa herë më pak nga vlera e tyre reale. Mungesa e fondeve të mjaftueshme do të çonte në oferta tmerrësisht të ulëta për secilën nga këto ndërmarrje, dhe shitja e tyre do të ishte thjesht një gabim trashanik.
Kështu që, duke pasur parasysh vlerësimet optimiste të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe Bankës Qendrore Evropiane, se ekonomia botërore do të fillojë të ngjizet prapë drejt rritjes deri në fund të vitit 2010, dhe parashikimet e qeverive respektive se në Evropë zhvillimi ekonomik do të fillojë qysh me pranverën e vitit të ardhshëm, e konsideroj të ngutshme, dhe të paarsyeshme shitjen e këtyre ndërmarrjeve brenda 20 mujorit të ardhshëm.
Pasi që ekonomitë do të fillojnë të kapen, edhe lëvizja e kapitalit financiar, dhe nevoja për depërtime në fronte të reja, pa mëdyshje se do të rritet. Atëherë edhe çmimi i shitjes së kompanive publike të Kosovës do të jetë shumë më i leverdishëm, dhe kapacitetet prurëse të investitorëve të huaj në ekonominë kosovare do të jenë ndjeshëm më të mëdha, dhe do të garantojnë rritje dhe zhvillim më stabil ekonomik.
(Autori është ekspert i ekonomisë politike dhe pedagog në Universitetin Glasgow në Britaninë e Madhe)



































