Prishtina tri dekada pa kryetar
Qytetarët e Prishtinës pas tri dekadave kanw rastin që të kenë kryetar të qytetit i cili mund menaxhojë qytetin, që në periodën e kaluar ka funksionuar dhe është ndërtuar ne mënyre stihike.
Që nga koha e Ing Nazmi Mustafës që ishte ideator i ndërtimit të Prishtinës urbane, ky qytet nuk ka pasur kryetar dhe vetëm forca e inercionit e ka zhvilluar qytetin. Prej vitit 1979 deri në vitin 1999 Prishtinën e kanë udhëhequr kryetarët e nacionalitetit serb që absolutisht nuk kishin kurrfarë interesi të e zhvillonin Prishtinën si qytet urban, por vetëm ia kanë përshtatur organizimin e qytetit nevojave të tyre kolonialiste.
Pas vitit 1999 kur Kosova e fitoi lirinë duke i falënderuar ndihmës amerikane dhe britanike, Prishtina u rrit me një vrull te paimagjinuar deri më tani.
Rritja u bë në numër të banorëve dhe më shumë lagje të reja, por i tërë ky ndërtim u bë pa pushtet dhe pa menaxher, apo pa kryetar të qytetit. Kryetari i sotëm dhe paraardhësi i tij nuk kane treguar as minimumin e njohurisë së menaxhimit apo të ndërtimit të urbanizuar të qytetit. Përkundrazi që të dy me pasivitetin e tyre e kanë vështirësuar funksionimin e qytetit të Prishtinës.
Prishtina sot i ngjan Kabullit në kohën e Talibanëve. I tërë qyteti duket si një pazar apo si një kafehane e madhe. Çdo shitore i prezanton të gjithë mallin para vitrinave duke e bllokuar trotuarin. Gjatë ndërtimeve të vogla dhe të mëdha, ndërtimtarët tërë materialin ndërtimor e vendosin në trotuar, e shumë herë edhe në mes të rrugës të dedikuar për automjete. Ky është obligim i pushtetit dhe për këtë nuk duhet ligji për kryeqytetin siç ankohet personi që rri në zyrën e kryetarit të Prishtinës.
Prishtina sot nuk funksionon sepse edhe ajo pasuri që ekziston nuk shfrytëzohet. Pas luftës janë ndërtuar dy apo tri rrugë të reja, ndërsa ri-asfaltimi i rrugëve të vjetra nuk llogaritet si ndonjë sukses sepse vetëm rrugët e reja llogariten ndërtim. Unë e shprehi bindjen time të plotë se Prishtina ka vetëm kryetar formal, pa as më të voglën dëshirë apo vullnet të punojë në të mirë të funksionimit normal të qytetit dhe shërbimeve publike që i ofron ky qytet i madh.
Qytetarët e Prishtinës kanë mundësinë që për herë të parë pas tri dekadave të votojnë për kryetar të vërtetë, e jo për kryetar formal siç ështe rasti me personin që sot rri në zyrën e kryetarit.
Nga kandidatët që aplikuan për kryetar mendoj se pa konkurrencë Prof. Dr. Astrit Salihu është personi më i duhur dhe më i qëlluar për shërbëtorin numër një të Prishtinës. Po them shërbëtor sepse Dr. Astrit Salihu e ofron veten ti shërbejë këtij qyteti dhe qytetarëve të Prishtinës, sepse në bazë të paraqitjeve të tija mund të konkludojmë se Dr. Astrit Salihu e kupton detyrën e kryetarit si një obligim dhe jo si privilegje, që është esenca e të kuptuarit dhe vepruarit në funksione publike.
Një rrugëtim në Prishtinën jo-funksionale e tmerron çdo qytetar apo vizitor, sepse qyteti nuk ka asnjë metër trotuar që nuk është bllokuar nga automjetet. Në Prishtinë qytetarët ecin në auto-rrugë dhe ky keqmenaxhim e bllokon qytetin. Shkollarët e shkollave fillore dhe të mesme janë në rrezik permanent nga shoferët e frustruar dhe çdo shkuarje - ardhje në shkollë është rrezik i përmasave të paimagjinuara. Pensionistët po ashtu janë në rrezik të madh nga automjetet sepse ata pas 40 viteve të kontributit të tyre në shoqëri nuk kanë trotuar për ecje njerëzore.
Në një intervistë të mëhershme personi që rri në zyrën e kryetarit të Prishtinës deklaroi së bërllokun në Prishtinë nuk e kanë sjell prej Kine dhe se bërlloku bëhet nga banorët e Prishtinës!!! Apo parkimin e automjeteve nëpër trotuare e cilësoi si çështje e ndërgjegjes së qytetarëve!! Pra me këtë filozofi ne nuk kemi nevojë për kryetar nëse kemi ndërgjegje!! Pikërisht këtë e bën personi në fjalë; nuk funksionon.
Qytetarët e Prishtinës duhet qe me 15 nëntor të shfrytëzojnë të drejtën elementare demokratike për të zgjedhur menaxhmentin e qytetit pas tri dekadave të kaosit. Personi që sot rri në zyrë të kryetarit po përpiqet që edhe në vitin që po shkon të e keqpërdorë emrin e ish presidentit të Kosovës Dr Rugova në kampanjën e tij duke menduar se me përdorimin e emrit e tij, do të mbijeton në paaftësinë e tij menaxheriale të një qyteti të madh.
Shumëkush e kritikon një pjesë të estradës muzikore për një bastardizim muzikor të quajtur “tallava”, por nuk kam vërejte të e cilësojnë si “tallava” edhe mënyrën e menaxhimit e ekzekutuar nga dy pseudo-kryetarët e fundit të Prishtinës. Pra tallavizmi nuk është vetëm në muzikë, por edhe në një pjesë të qeverisjes nëpër komuna të Kosovës e sidomos në Prishtinë..
Dr. Astrit Salihu nëse e fiton besimin e qytetareve të Prishtinës do të ndryshojë këtë qytet para se të gjithash me menaxhim më funksional. Kryetari i Prishtinës e ka edhe një detyrë të veçantë në referencë, të funksionimit të qytetit sepse Prishtina është qyteti më i vizituar dhe i banuar nga të huajt, dhe përshtypjet e tyre janë të rëndësishme sepse qyteti që funksionon ështe lobuesi më i mirë i pavarësisë së Kosovës.
Qyteti me funksionim normal është një motiv dhe arsye shtesë që Kosovën të e pranojnë si shtet edhe ato shtete që për momentin ngurrojnë të e bëjnë këtë veprim politik.
Votimi për Dr. Astrit Salihun do të ishte edhe një thyerje e mitit për kinse orientimin bllanko të banorëve të Prishtinës pro një partie, që në të vërtetë sot është vetëm një mbeturinë e një lëvizje kombëtare që e udhëhoqën me sukses Dr. Rugova dhe Dr. Agani.
Kjo ish lëvizje kombëtare sot paraqet një mbeturinë politike të ndarë në dy mini mbeturina të quajtura LDK dhe LDD. Dr. Astrit Salihu me fitoren e tij do të thyej këtë mit, dhe së bashku me kryeministrin Thaçi do të promovojnë dhe vërtetojnë veten si pjesë e moderuar të PDK-së.
Banorët e Prishtinës mund të japin kontributin e tyre duke i dhënë rast Dr. Astrit Salihut ta dëshmojë veten, dhe po ashtu ti dënojë ata që nuk e kryen detyrën edhe pse iu dha besimi për shërbim të ndershëm dhe funksional publik.
Dr. Astrit Salihu nuk mundet dhe nuk guxon të dështojë prandaj e meriton votën për numrin një te qytetit.



































