Në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës, Prishtina ka shënuar një fitore të pastër ndaj Llapit me rezultat 3-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”. 

Stadiumi para ndeshjes ushtonte nga "Plisat" që kishin ardhur në numër të madh për ta përkrahur Prishtinën.


Ndeshja filloi me epërsi të Llapit, që krijoi disa raste të pasuksesshme në minutat e para. Arianit Hasani kishte rastin më të mirë, por portieri i Prishtinës, Altin Gjokaj, ishte vendimtar, duke mbajtur portën e paprekur.

Llapi arriti të shënojë në minutën e 33-të me Alex Gnapin, por sulmuesi i shpejtë ishte në pozitë jashtë loje, ku VAR e konfirmoi.

Pas tre minutash, Prishtina hapi rezultatin. Djordje Saletic depërtoi nga e majta dhe shërbeu te Mario Ilievski, i cili nuk gaboi para portës, duke vendosur rezultatin 1-0.

Pjesa e dytë nisi me presion nga Llapi, por Prishtina arriti të mbante rezultatin.

Në minutën e 55’, pas ndërhyrjes së Ladrit Ramës ndaj Valmir Veliut, gjyqtari shikoi VAR-in dhe akordoi penallti për Prishtinën.

Rin Ahmeti nuk gaboi dhe shënoi golin e dytë në minutën e 57’.

Pas golit të dytë, Prishtina kishte edhe disa raste për të thelluar epërsinë, duke përfituar nga kundërsulmet dhe depërtimet e Veliut dhe Baftiut.

Prishtina fitoi edhe një penallti, në kohën shtesë, ku Valmir Veliu ishte i paguar duke shënuar për 3-0.

Kjo fitore e vendos Prishtinën si lider të Superligës me 6 pikë, ndërsa Llapi ende nuk ka arritur të shijojë fitoren këtë sezon dhe mbetet me vetëm 1 pikë./Telegrafi/ 

telegrafi sport app