Në vitet e nëntëdhjeta, si nxënës e me vonë edhe si student, kisha dëgjuar nga shumë politikanë, intelektualë dhe profesorë të mi të asaj kohe, se si argumentonin nevojën që Kosova të bëhej e pavarur. Argumentet më të shpeshta ishin: se ne jemi një vend i pasur, se kemi një rini të shëndoshë dhe mbi te gjitha kemi shumë njerëz të shkolluar dhe që kanë krijuar një përvojë të mirë gjatë “socializmit”. Si adoleshent që isha, nuk i kisha analizuar me ndonjë thellësi këto argumente dhe besoja se vërtetë ishin të qëlluara dhe për tre vjet Kosova do të zhvillohej si Zvicra.

U bënë dhjet vite pas lufte dhe jo më pak se tetë vite nga zgjedhjet e para lokale, në të cilat zgjidheshin kryetarët e komunave dhe kuvendet komunale, institucione të cilat do të merreshin me zhvillimin e komunave si në aspektin urban bashkëkohor ashtu edhe në infrastrukture dhe probleme tjera që e tangon komunën. Sot, si kurrë me parë çdo komune po degradohet, edhe pse u bënë dy vite që kur Kosova e shpalli vetën të pavarur dhe kur të gjitha kompetencat janë në duar të vendorëve.

Vërtetë ne këto vite janë bërë disa kilometra rrugë më shumë, kanalizime, shkolla të reja dhe janë zgjidhur një numër i vockël problemesh, por a janë ato pritjet e viteve të nëntëdhjeta? A janë harxhuar të gjitha mundësitë tona kadrovike? dhe a duhet që ky duhet të jetë ritmi i zhvillimit?, apo në shumë komuna kemi bërë zgjedhje të gabuar?, kur dihet që të njëjtat parti ose individ qeverisin me disa nga komunat që nga pas lufta e deri më sot.

Prishtina, është rasti më i mirë që duhet analizuar dhe që ka ardhur koha e ndryshimeve, ndryshime me të cilat do të ndryshonte edhe Prishtina, me çka duhet të besoj akoma se ka njerëz në Prishtinë që dijnë dhe munden të bëjnë këtë vend ku jetohet dhe punohet. Sot, Prishtina nuk ofron mundësi për të gjithë. Qeverisja e saj është kapur nga klane të caktuara si ekonomike ashtu dhe politike të cilat po qeverisin me Prishtinën që dhjet vite. Për shumë qytetarë dhe qytetare është bërë e padurueshme kjo jetë që bëhet sot, koha është për ndryshime, me njerëz teknokrat që dinë të bëjnë zgjidhje, e jo për njerëz qe bashkëjetojnë me problemin. “Dikur gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin përhapur shumë morrat dhe tregonin luftëtarët se si ishin mësuar me ta dhe nuk u bënin përshtypje shume”. Është e pa drejt që ne sot në shekullin njëzetenjë të mësohemi me këtë keqqeverisje.

Këto zgjedhje që po mbahen, kanë ofruar shumë kandidat dhe programe të cilat duhet shikuar me kujdes, sepse nuk duhet të vazhdojmë me këtë lloj qeverisje. Gara është bërë interesante sidomos me Vegim Gashin, njeri i cili vjen nga bota e teknokratëve dhe i cili po ofron programin më të mirë, program i cili zgjidh problemet e qytetarit. Fokusi i tij është qeverisja me “ligj dhe veprimet e komunës ne shërbim të interesave të qytetarëve”, parim i cili i ka munguar Prishtinës deri me tani.

Është për tu vlerësuar lartë fushata e Vegimit, si në aspektin përmbajtjesor si dhe në taktikën të cilën po e ndjek. Jemi dëshmitarë se si po përplasen dy partitë që po e qeverisin me Prishtinën, LDK dhe PDK, parti të cilat kanë kontribuar në kaosin e qytetit dhe ndezjen e klimës negative politike. Vegimi ka zgjedhur rrugën e trete, atë te qytetarit, pra fokusimi ne ide dhe ndërtimi i një imazhi të mirë që sot i duhet Prishtinës. Si mund të votohen apo të çmohen ata që hajn bashkë dhe u nxjerrin të palarat njeri tjetrit. Dikush po thotë: “qe kjo është fushate dhe ne fushate ka edhe kritika te ndërsjella”, këtë ne e kuptojmë, por si mund tu besojmë atyre qe kane kontribuar për këtë gjendje dhe gjendje e cila pretendohet të vazhdojë.

AKR, duhet të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve, sepse Prishtina meriton më mirë dhe kjo e mirë po ndërtohet edhe me LDD, dhe si dy grupime serioze politike dhe me programe të qartë dhe me kandidat Vegim Gashin, Prishtina për katër vjetet e ardhshëm do të duket ndryshe, do te këtë rend dhe ligj, mundësi për punë për të gjithë, shërbime efikase dhe transparence maksimale.

Uroj që për kryeqytetin tonë të mendohet më seriozisht dhe më 15 nëntor, ti thuhet jo vazhdimit, dhe po ndryshimit. Ne jemi gati!

(Autori është anëtar i kryesisë se AKR-së)