Prishtina fiton derbin ndaj Bashkimit, në ndeshjen që u ndërpre për më shumë se një orë

Në një sfidë dramatike, Sigal Prishtina shënoi fitore ndaj Bashkimit me rezultat 72:70 (17:24, 25:15, 16:18, 14:13), në javën e 11-të të ProCredit Superligës.
Ndeshja ishte ndërprerë në çerekun e parë për shkak të incidenteve të tifozëve. Dhjetëra tifozë të Prishtinës, të njohur si “Plisat”, hynë në palestër dhe hodhën mjete tymosëse, duke krijuar një situatë kaotike. Protesta e tyre është për kryesinë e klubit, pas vitesh pa titull kampioni. Ndeshja vazhdoi pas më shumë se një ore.
Në çerekun e parë mysafirët kishin epërsi konstante, duke fituar këtë pjesë 17:24, por kundërpërgjigja e prishtinasve erdhi menjëherë në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me rezultat 42:39.
Perioda e tretë ishte e barabartë dhe e luftuar nga të dy skuadrat, duke e bërë sfidën në kryeqytet edhe më interesante, derisa fituesi u vendos në dhjetëminutëshin e fundit.
Dramë u zhvillua deri në fund, me bardhekaltrit që ishin më të vëmendshëm në momentet vendimtare, derisa në aksionin e fundit për prizrenasit Anderson nuk ishte i saktë për tri pikë.
Kelby Kramer kishte dhjetë pikë e 15 kërcime te vendasit, kurse Kyan Anderson 20 pikë te mysafirët.
Sigal Prishtina ka gjashtë fitore e pesë humbje, ndërsa Bashkimi shtatë fitore e katër humbje. /Telegrafi/








































