Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se në një operacion policor që u zhvillua në fshatin Rodel të Leposoviqit, janë konfiskuar armë, municion,  uniforma ushtarake dhe dokumentacion.

"Janë zbuluar uniforma të ndryshme, armë dhe municion të ndryshëm por edhe dokumentacione të cilat dëshmojnë se strukturat paralele vazhdojnë të jenë aktive në territorin e Kosovës. Ky zbulim ka ndodhur disa kilometra brenda kufirit Kosovë-Serbi, në fshatin Rodel. Në vazhdimësi po zhvillojmë aksione", tha ai.


Sipas tij, duke qenë se për çdo ditë po zbulojnë armë, tregon se ende ka pjesëtarë të dy organizatave terroriste në territorin e Kosovës.

“Serbia vazhdon të strehojë terroristin Millan Radoiçiq, i cili është kupola e gjithë këtij organizimi, i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste të vazhdojë t'i mbajë të gjalla, qoftë në Serbi, ashtu edhe në Kosovë”, ka thënë Sveçla.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se aksioni është duke vazhduar, ndërsa një person është shoqëruar në stacionin policor për t’u intervistuar.

""Drejtoria rajonale e Policisë në veri gjatë punës së saj operative në terren, ka marrë një informacion se në fshatin Rodel të komunës se Leposaviqit, ne një shtëpi ta pabanuar mund të ketë armë dhe municione. Ne orën 12:00 njësitë policore, sipas Kodit të Procedurës Penale kanë intervenuar dhe kanë vërejtur një sasi të municionit dhe armatimit, me urdhrin e të cilit janë sekuestruar provat materiale nën dyshimin e veprës penale "mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve". Operacioni është akoma duke vazhduar. Aktualisht kemi shoqëruar në Stacioni Policor një person i cili është duke u intervistuar", tha ai.

Drejtori i Policisë ka shpalosur listën e provave të sekuestruara nga njësitet policore në Rodel të Leposaviqit.

"Një pushkë një tytëshe, kondakt pushke, 19 fishekë për pistoletë, një çantë me 45 fishekë për armë të gjatë, një palë dylbi për snajper, një çantë me katër karikatorë të zbrazët dhe një kuti me vaj. Pajisje për pastrimin e armës, dy gaz maska, pajisje ushtarake për ushqim, çantë për ndihmë të parë, qese për pajisje dhe ndihmë te parë, dy vula, literaturë të ndryshme, çantë me dokumente, substanca të fyshuara të eksplozivit, telefona, substancë e dyshuar e eksplozivit, dylbi, dy shigjeta, substance e dyshuar e eksplozivit, substance e dyshuar e eksplozivit, thike, jaknje me mbishkrime si dhe 31 deri ne 40 uniforma ushtarake të ndryshme. Në mesin e uniformatave të sekuestruara është edhe një uniformë e te ashtuquajturës "Mbrojtja Civile", organizatë e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës, që tregon se kemi ende mbetje aktive të kësaj organizate që tentojnë të minojnë rendin kushtetues... ekziston mundësia që janë edhe dy armë mungesë, të cilat ne jemi duke punuar po shpresojmë që do i gjejmë edhe dy armët tjera të cilat janë pjesë e këtij materiali të sekuestruar", shtoi Hoxha në konferencë për media.

Ministri i Punëve të Brendshme, poashtu deklaroi se Policia e Kosovës është e aftë për t’u përballur me "mbetje" të terroristëve të Mbrojtjes Civile.

"Policia e Kosovës është e aftë për t'u përballur me këto mbetje, dhe këtë po e dëshmon çdo ditë, nuk jemi të frikësuar, jemi të kujdesshëm që çdo grupacion që vepron në Kosovë, të përballet me policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin", u shpreh ai gjatë një konference për media në veri të vendit.

Ai është pyetur edhe për protestat në Serbi.

"Vuçiq një diktator i cili për interesat e tyre vazhdon te shtyp popullin e Serbisë por edhe të rrezikojë sigurinë në rajon. Sa më shpejt Serbia demokratizohet aq më mirë për rajonin", shtoi ai.