LAJMI I FUNDIT:

Presidenti i Ukrainës kundërshton dorëheqjen e kryeministrit Honcharuk

Presidenti i Ukrainës kundërshton dorëheqjen e kryeministrit Honcharuk

Kryeministri i Ukrainës Oleksiy Honcharuk ofroi dorëheqjen e tij pas një skandali që lidhej me të, por Presidenti Volodymyr Zelenskyy nuk pranoi ofertën e Honcharuk.

Një njeri, zëri i të cilit ngjason me atë të Honcharuk dëgjohet në tre skedarë audio të postuar në YouTube këtë javë, të cilat pretendojnë se janë regjistrimi i bisedave midis kryeministrit dhe zyrtarëve të financave, përfshirë ministrin e financave.


Honcharuk, një avokat 35-vjeçar që u bë kryeministër i Ukrainës në gusht, dyshohet se ka thënë: “Zelenskyy ka një kuptim shumë primitiv të ekonomisë”, dhe dëgjohet gjithashtu duke përshkruar veten “një laik” në çështjet ekonomike, transmeton Telegrafi.

Zelenskyy më herët tha se ai do të “konsiderojë” dorëheqjen.

Pas disa takimeve, Zelenskyy refuzoi ofertën e dorëheqjes.

“Vendosa t’ju jap një shans juve dhe qeverisë suaj nëse zgjidhni disa çështje që janë shumë të rëndësishme sot dhe janë shqetësuese për shoqërinë tonë”, i tha presidenti Honcharuk në një video të lëshuar nga shërbimi i tij për shtyp të premten vonë.

“Tani nuk është koha për të tronditur vendin ekonomikisht dhe politikisht”.

Ai udhëzoi zyrtarët e sigurisë të gjenin burimin e videos.

“Unë kërkoj që brenda dy javësh, sa më shpejt të jetë e mundur, të marrim informacionin se kush po regjistronte”, u citua ai nga shërbimi i tij për shtyp. /Telegrafi/