Presidenti i La Ligas është dërguar në gjykatë për shkak të zbulimit publik të llogarive të Barcelonës

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, përballet me një sfidë të re ligjore pasi Miguel Galan, kreu i organizatës “Transparenca dhe Demokracia në Sport”, ka paraqitur një ankesë në Këshillin e Lartë të Sportit të Spanjës (CSD) duke e akuzuar për zbulim publik të të dhënave konfidenciale financiare të Barcelonës.
Sipas padisë, Tebas ka kryer “pesë shkelje të rënda” të detyrimit për konfidencialitet, çka ka bërë që CSD të shqyrtojë mundësinë e referimit të çështjes në Komitetin Disiplinor Sportiv Spanjoll (TAD) për hetim dhe vendim të mundshëm.
Sipas AS, Galan ka dorëzuar një dokument prej 50 faqesh në mbrojtje të të drejtave të anëtarëve të Barcelonës, duke kritikuar Bordin Drejtues të klubit për mosparaqitjen e një ankese, pavarësisht marrëdhënieve të mira që kanë ruajtur me Tebasin mes mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mbi çështjet e regjistrimeve.
CSD, e cila më herët ka hapur procedura për skualifikimin e ish-krerëve të Federatës, Angel Maria Villar dhe Luis Rubiales, tani do të shqyrtojë veprimet e Tebasit për të vendosur hapat e ardhshëm.
Ankesa lidhet me sagën e regjistrimit Olmo–Pau Víctor, kur La Liga publikoi më 2 prill 2025 një deklaratë duke pretenduar se Barça kishte shkelur kufirin e pagave, pasi nuk kishte regjistruar në kohë një marrëveshje shitjeje të vendeve VIP në vlerë prej 100 milionë eurosh.
Barcelona reagoi menjëherë, duke e akuzuar Tebasin për shkelje të konfidencialitetit, gjë që çoi në heqjen e deklaratës nga faqja zyrtare e La Ligës. Galan thekson se klubi nuk e kishte bërë kurrë publik këtë informacion dhe se veprimet e Tebasit ekspozuan të dhëna të ndjeshme financiare.
Ai gjithashtu përmend një takim midis La Ligës dhe presidentit të Athletic Club gjatë bisedimeve për transferimin e Nico Williams, ku dyshohet se janë zbuluar të dhënat financiare të Barcelonës me qëllim pengimin e transferimit të lojtarit në “Camp Nou”.
Padia kërkon skualifikimin e Javier Tebasit, duke synuar mbajtjen e tij përgjegjës për veprimet si president i La Ligës. /Telegrafi/




















































