Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se kjo mbetet çështja e fundit për t’u përmbyllur pas formimit të qeverisë.

Kurti deklaroi se për të qeverisur “mirë dhe mbarë”, vendit i ka mbetur edhe zgjedhja e presidentit, proces i cili kërkon së paku 80 vota në Kuvend.


“Që të qeverisim mirë dhe mbarë na ka ngelur edhe çështja e presidentit. Pas formimit të qeverisë kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që kemi në dispozicion dhe faktin se për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në Kuvend”, u shpreh Kurti.

Ai tha se ka qenë i vetëdijshëm që LVV-ja e vetme nuk i ka votat e nevojshme, andaj ka nisur takime me liderët e dy partive më të mëdha opozitare për të diskutuar tejkalimin e situatës.

“Kam qenë i vetëdijshëm që LVV e vetme nuk i ka 80 vota, andaj kam vendosur kontaktet me liderët e dy partive më të mëdha opozitare me qëllim që të diskutojmë për mënyrat e tejkalimit të kësaj sfide. Takimet kanë qenë konstruktive dhe fillimisht ka pasur pajtueshmëri që vendi ka nevojë për një figurë unifikuese”, tha ai.

Kurti theksoi se një figurë e tillë do të mund të vinte nga familja Jashari, duke përmendur emrin e Murat Jashari si kandidat potencial.

“Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje partiake, nder për republikën dhe siguri për kombin. Rrethanat gjeopolitike kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë që i bën ballë shtërngatave të tilla. Edhe sot zgjedhja e një figure si Murat Jashari do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur”, deklaroi Kurti.

Megjithatë, ai bëri të ditur se pas takimit të dytë me Bedri Hamza, ka marrë qëndrimin e kryesisë së Partia Demokratike e Kosovës se presidenti duhet të vijë nga kjo parti.

“Pas takimit të dytë me Bedri Hamzën, më është kumtuar nga një qëndrim i kryesisë së tyre se ata tashmë konsiderojnë se presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK-ja”, tha Kurti.

Sipas tij, përkatësia partiake nuk garanton zgjedhjen e presidentit, por vota e deputetëve në Kuvend.

“Kandidati mund të vijë nga cilido subjekt, por në fund zgjedhjen për president nuk e garanton përkatësia partiake, por vota në Kuvend. Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt politik të propozojë nga një kandidat dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës në Kuvend”, theksoi ai.

Kurti njoftoi gjithashtu se do të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar këtë çështje.

“Nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra garë e hapur ku secili subjekt të ketë kandidatin për president, atëherë LVV do ta ketë kandidatin e saj. Jam duke bërë përpjekje që ta tejkalojmë këtë situatë në mënyrë që të mos kemi sërish zgjedhje”, përfundoi Kurti./Telegrafi/