LAJMI I FUNDIT:

Presidenti dëshmitar dhe 5 euro bateri!

Në ditën kur presidenti i vendit po përuronte teknologjinë e avancuar që i tejkalon vendet e rajonit në lëmin e shëndetësisë, pak metra më larg pacientët e moshuar zbraznin xhepat e tyre për të blerë baterinë e aparatit të QKUK-së që të kryejnë analizën e diabetit

Në orët e hershme të mëngjesit shumë pacientë, kishin nxituar që të mbërrijnë sa më parë para ordinancave për kontroll “sistematike”. Të martën në Klinikën Interne pacientët, që vuajnë nga diabeti, prisnin në radhë për të parë gjendjen e tyre. Ishin 13 veta. Shumica të moshuar. Dhënia e gjakut, për analizë, ndërpritet me pacientin e parë.


Kryeinfermierja informon pacientët se analiza e shkallës së sheqerit në gjak nuk mund të bëhet, sepse aparatit, i cilin bën matjen, i është harxhuar bateria. Ajo, shpjegon se për rastin janë të informuara edhe instancat më të larta shëndetësore. Ajo sërish kërkon ndihmë që të gjendet zgjidhje, por merr përgjigje negative nga qendra!

E vetmja rrugëdalje për pacientët ishte të kërkojnë ndihmë në ndonjë ordinancë private, ose të blinin me paratë e tyre baterinë që kushtonte “vetëm” 5 euro. Dhe, pacientët vendosin për variantin e dytë. Përcjellësi i njërës nga pacientet mbledh paratë dhe del për të blerë baterinë diku në njërën nga barnatoret e qytetit, por ajo arrin pas një orë pritjeje shtesë. Rasti ndodhi në orët e paradites në Klinikën Interne.

Për koincidencë po atë ditë mediat njoftonin me pompozitet për një përurim solemn në Qendrën klinike Universitare, pak metra më larg ambulancës së diabetit. Presidenti Fatmir Sejdiu në mënyrë glamuroze, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, Alush Gashi kanë bërë përurimin e qendrës Diagnostike të Repartit të Radiologjisë në QKUK.

Lajmi i dytë nxori edhe këtë realitetin e parë të ditës së martë. Ministri paska thënë se “presidenti është dëshmitar se një teknologji e tillë i tejkalon vendet e rajonit.” Ndërsa një person i realitetit ka menduar të thotë se të njëjtën ditë pacientët janë irrituar nga përurimi glamuroz – festiv, sepse ju është dashtë të dalin nëpër shehër të blejnë bateri aparati kontrolle për klinikën interne.

Në mes të kësaj Qendre investiguese dhe baterisë 5 euro, si gërshetim vjen 20 milionëshi i investuar në sektorin e shëndetësisë dhe klithjes së një pacientes se "më falni për pamundësinë e dhënies së një shume prej 30 cent, sepse mezi erdha me autobus e duhet te kthehem këmbë"!

Kjo ka ndodhur ditën e martë. Përderisa në hollin kryesor të Klinikës Interne te pritjes me rend a pa rend, ka ndodhur nga orët e hershme të mëngjesit deri në mesditë, nuk e di se kur ndodhi inaugurimi i Qendrës nga Presidenti i vendit dhe Ministri i Shëndetësisë?! Dikush mund të dyshoj se shihe se si jemi në shqiptarët. Milionat e investuar ku është dëshmitar edhe presidenti i vendit mëshohen shkelm me vetëm 5 euro.

Zoti Ministër dhe Zoti President më e vlefshme është jeta, sakrifica e gruas që kërkoj që t’mos i merren 30 cent, edhe pse i afroj se sa prerjet glamuroze të shiritit tuaj milionësh. Këtë e dini mirë prandaj Ju ndoshta edhe kishit mbërri ta lëni në gjysmë ceremoninë e prerjes dhe do e dërgoni në shtëpi një paciente! Sepse ju iu dilni në ndihmë qoftë edhe si dëshmitar i teknologjive tepër moderne.

As këtë s’mund ta di se kur të harxhohet bateria e asaj qendre a do t’kenë mundësi që pacientet të zbresin në qytet për ta blerë! Ju pastaj në një kënd tjetër do të inauguroni jo tashmë teknologji moderne te rajonit po të Evropës dhe botës! Dyshoj për atë teknologji tashmë!

Zoti president dhe zoti ministër kur e mendoni se është teknologji që i tejkalon edhe vendet e rajonit mos është fjala se pacientët që duhet operohen – barten shkallëve nga një ordinancë në tjetrën, në mënyrë të paparë jo vetëm në vendet e rajonit, por edhe në Evropën, që s’po na lë ta vizitojmë pa viza?! Barten me krevat shkallëve disa minuta para operimit dhe menjëherë edhe pas operimit.

Kjo ka ndodhur me motrën time vetëm disa muaj më parë! Më familjarët Tuaj nuk e besoj se do të ndodh një gjë e tillë! Edhe kjo është metaforë për ju! Po shihni se me çfarë merren shqiptarët, do të thoni Ju të nderuar. Presidenti i vendit dhe një ministër shëndetësie duhet t’i kenë së “fundi” edhe këto privilegje! Që t’mos u ndodh e keqja!