Kryetari i zgjedhur i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, përmes një postimi në Facebook ka akuzuar qeverinë komunale në largim se po kryen punësime dhe pagesa të pajustifikuara në fund të mandatit.

Prebreza ka deklaruar se pushteti në ikje i LDK-së po shkel ligjin në disa fusha, përfshirë punësime, pagesa të paarsyetuara, lëshim të lejeve ndërtimore, procedura të dyshimta shpronësimi, si dhe legalizime dhe ndryshime të destinimit të tokave nga bujqësore në ndërtimore.


“Këto veprime duhet të ndalen menjëherë. Të gjitha vendimet e kësaj periudhe do të verifikohen dhe do të ndërmerren masat e duhura, përfshirë edhe denoncimet në Polici dhe Prokurori. Askush nuk do të mund të arsyetohet me presion politik. Zbatimi i ligjit është detyrim, dhe përgjegjësia për shkeljet do të jetë plotësisht individuale”, ka shkruar Prebreza./Telegrafi/