E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvilluar sot një takim me katër kryetarët e sapoinauguruar të komunave veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile serbe në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së, gjatë takimit u theksuan pritshmëritë amerikane për qeverisje transparente dhe efektive, si dhe për ofrimin e shërbimeve të barabarta për të gjitha komunitetet.


“Anu Prattipati nënvizoi pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara për qeverisje transparente dhe efektive, si dhe për ofrimin e shërbimeve të drejta dhe të barabarta për të gjithë qytetarët”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane.

Po ashtu, në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit të autoriteteve lokale me institucionet e sigurisë publike, të cilat janë të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve pa dallim.

“Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike, të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet më tej në njoftim.

Ambasada e SHBA-së ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, veçanërisht në komunat me ndjeshmëri politike dhe institucionale. /Telegrafi/