LAJMI I FUNDIT:

Potemkini në Shkup

Potemkini në Shkup
22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Grigorij Aleksandroviq Potemkin, ka më se dy shekuj që ka vdekur. Kolonizoi shumë vise të pushtuara nga Rusia cariste, përfshirë edhe Krimenë, e cila sërish është bërë mollë sherri mes fuqive. Ndërtoi edhe qytete të tëra në viset e pushtuara. Në histori, mbeti i njohur për mashtrime. E keni parasysh metaforën për “Fshatrat e Potemkinit”?

E, Potemkini, për arsye tepër të qëndrueshme, kësaj radhe nuk ka ardhur vet në Shkup për të rindërtuar fasadat me të cilat do të bindej Përfaqësuesja e Lartë BE-së, se Maqedonia është një vend modern, se jeta atje rrjedh normalisht dhe se të gjitha hezitimet euroatlantike për të janë krejtësisht të panevojshme. Qeveria maqedonase u përpoq të luante vet Potemkinin, përpara përfaqësueses së lartë të BE-së, të fliste për fasadat e reja të Shkupit dhe jo për themelet dhe jetën në këtë vend i cili, në pjesën më të madhe, ende nuk i ka përmbushur obligimet nga Marrëveshja e Ohrit.


Por, ç’ne Potemkini në Shkup, ky mjeshtër fasadash? A nuk i rrinin për mrekulli fasadat jugosllave, Shkupit? Në fakt, vitin 1963, një tërmet i fuqishëm kishte rrënuar dy të tretat e ndërtesave të kryeqytetit të njërës nga gjashtë republikat e atëhershme jugosllave. Kështu edhe u rrënua pjesa më e madhe e identitetit të qytetit, i cili dikur ishte një nga qytetet më të mëdha shqiptare. Falë solidaritetit ndërkombëtar dhe sidomos atij jugosllav, Shkupi u rindërtua, sidomos pjesa maqedonase, dhe u shndërrua në një (krye)qytet modern për kohën, me rrugë të gjera dhe ndërtesa të cilat i kishin konceptuar arkitektët më në zë të ish-Jugosllavisë. Me një fjalë, merr identitet krejtësisht jugosllav.

Por, tri dekada pas kësaj, Jugosllavia si krijesë artificiale u rrënua, sepse popujt po ndiheshin tepër ngushtë dhe të shtypur brenda saj, ndërkohë që republika e cila u shkëput pa luftë, si aleate e heshtur e Serbisë, mbeti lakuriq e pa identitet. Kështu, “Shkupi 2014” doli të jetë një përpjekje megalomane për të ndërruar identitetin e (krye)qytetit, e me këtë edhe të shtetit. Përjashtimi i shqiptarëve nga identiteti i ri shtetëror, edhe pse dikur ata ishin popull shtetformues në ish-republikën jugosllave, krijoi themele krejtësisht të paqëndrueshme të cilat dridhen në çdo fushatë elektorale, duke e dridhur kështu krejt shtetin e brishtë dhe duke trazuar rëndë marrëdhëniet në mes të komuniteteve kryesore.

U përfolën shifra prej 850 milionë eurove të cilat elita maqedonase i shpenzoi, për skulptura gjigande të personaliteteve të cilat sipas mjeshtërve të fasadës identitare, paraqesin shtyllat kombëtare e shtetërore të Maqedonisë. U rindërtuan fasadat e godinave dhe u ndërruan pamjet e shesheve. Pra, derisa po ndërtonte fasadën e re të qytetit, dhe shtetit, të cilën duhej ta shihte Mogherini, apo cilido përfaqësues tjetër perëndimor, në të njëjtën kohë pushteti autoritar maqedonas me apo pa dashje po rrënonte themelet e shtetit duke përjashtuar shqiptarët nga identiteti shtetëror i Maqedonisë.

Pra, Potemkini po ngjyroste fasada me ngjyra evropiane duke mbuluar kështu marrëdhënien aspak të qëndrueshme mes popujve në Maqedoni dhe frymën aspak evropiane të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. Deklarimet e fundit dhe histeria e VMRO-DPMNE-së gjoja për gjuhën, shpërfaq në formën më të keqe ambicien e ideologëve të rinj/vjetër maqedonas që shqiptarët t’i mbajnë edhe më tutje si fajtorë kujdestarë për gjithçka dhe për rrezikun kryesor për Maqedoninë. Pandërprerë vihen në dyshim besueshmëria, si dhe themelet e identitetit evropian të shqiptarëve atje përmes fushatave të shpifura, qoftë në formë “enciklopedish” të rreme apo rreziqeve të paqena për lidhjen e shqiptarëve me islamin politik.

Mogherini iku duke lënë pas mesazhet e sajë. Padyshim, ekziston arsyeja dhe interesa gjeopolitike që ky shtet të ekzistojë edhe më tutje, për të shërbyer si tampon zonë në mes disa popujve të pakënaqur me shtrirjen e vet gjeografike dhe fuqive të cilat përmes tyre do të donin të zgjeronin kufijtë e vet të ndikimit.

Ndoshta, elita maqedonase herët apo vonë do të kuptojë se ekzistenca e kombit dhe shtetit maqedonas gjithashtu varet drejtpërdrejtë nga marrëdhënia e tyre me shqiptarët të cilët, dorën në zemër, nuk ndihen aq të kërcënuar nga madhështia e imagjinuar e pushtetarëve maqedonas. Toleranca dhe urtia politike e shqiptarëve, më tepër se frikë, tregon sigurinë që buron nga marrëdhënia e re gjeopolitike në rajon e cila përkundër të gjitha lojërave me zjarrin, po e favorizon rilindjen, barazinë e popujve dhe frymën evropiane.

Ju kujtohet, me siguri, ëndrra e bretkosës që të bënte garë me kuajt? E zgjati këmbën bretkosa t’i vinin patkoin e kalit, por nuk e përballoi dot. I përballojnë vendet e vogla të cilët mezi e bëjnë një qytet të mesëm evropian, ambiciet perandorake? Identifikimi me perandor që pushtuan botën antike, a nuk ngjan me një ëndërr të çmendur, jashtë kohës dhe hapësirës? Kryejnë punë fasadat e Potemkinit në Shkup? Është bërë Evropë Maqedonia, vetëm se i ngjyrosi në të bardha ndërtesat e institucioneve, u ndërroi fasadat, bëri edhe “Portën triumfale”…?

Qytetarët shqiptarë mendojnë se Maqedonia është interes i drejtpërdrejtë i tyre sa edhe i maqedonasve. Nëse në vend të Potemkinëve dhe fasadave të rreme Qeveria e re zhvillon një proces të besueshëm të dekriminalizimit dhe i rindërton marrëdhëniet e rrënuara mes dy popujve, mund të ndodhë fare lehtë që Maqedonia të kthehet në shtet model të bashkëjetesës, për këtë pjesë të Evropës. Madje, falë pozitës së saj, kështu mund të ndodhë që ajo t’i kalojë të gjithë në rajon në procesin e integrimeve euroatlantike.

Kjo, natyrisht, varet krejtësisht nga rruga që do zgjedh qeveria e re: fasadë apo realitet euroatlantik!

Në trend

Më shumë
Policia dhe ATK me aksion në veri, mbyllin gjashtë njësi të ashtuquajturës

Policia dhe ATK me aksion në veri, mbyllin gjashtë njësi të ashtuquajturës "Banka Postare Kursimore"

Lajme
Banorët e pallatit ku jetojnë njëzet mijë banorë nuk kanë nevojë të zbresin në tokë për javë të tëra

Banorët e pallatit ku jetojnë njëzet mijë banorë nuk kanë nevojë të zbresin në tokë për javë të tëra

Stil
Rikthehet industria ushtarake, Shqipëria do të prodhojë armë

Rikthehet industria ushtarake, Shqipëria do të prodhojë armë

Lajme
I penduar, Meriton Mjekiqi i kërkon falje publike ish-banores së Big Brother VIP Albania

I penduar, Meriton Mjekiqi i kërkon falje publike ish-banores së Big Brother VIP Albania

Magazina
Policia në kërkim të një burri dhe një gruaje nga Prizreni - dyshohen për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj ”

Policia në kërkim të një burri dhe një gruaje nga Prizreni - dyshohen për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj ”

Kronika e Zezë
Zbulohet plani i Carlo Ancelottit për Arda Guler

Zbulohet plani i Carlo Ancelottit për Arda Guler

La Liga
Kalo në kategori